Fitorja në derbin e qytetit ndaj Proton Cable Prizrenit ka bërë që Bashkimi të jetë i motivuar para udhëtimit në kryeqytet. Bashkimi është mysafir i Sigal Prishtinës në derbin e xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Kjo ndeshje zhvillohet të dielën dhe nis në orën 16:00.
Bashkimi ka pasur start të mirë të edicionit, përkundër që ishte ekipi i fundit që ka filluar me përgatitje. Mirë ka nisur edhe Prishtina. Dy ndeshjet e këtij edicioni në shtëpi skuadra prishtinase i ka fituar dhe do të tentojë të regjistrojë edhe triumfin e tretë.
Të dy skuadrat kanë bilanc të njëjtë pas katër xhirove të zhvilluara. Kanë regjistruar nga tri fitore dhe një humbje.
Te Bashkimi thonë se janë përgatitur maksimalisht për derbin me Prishtinën. Basketbollisti Altin Morina thotë se synimi i ekipit nga Prizreni është ta mposhtë Prishtinën në shtëpi, për të regjistruar fitoren e katërt këtë edicion. Morina pranon se nuk do të jetë aspak lehtë, duke pasur parasysh se Prishtina ka ekip të fortë. Ai ka thënë se me një angazhim maksimal të gjithë lojtarëve është shumë e mundur që Prishtinës t’ia shkaktojnë humbjen e parë në shtëpi.
“Besoj se të gjithë lojtarët do të japin maksimumin, duke pasur parasysh se është një derbi dhe përballemi me një kundërshtar të fortë. Jemi përgatitur mirë, pasi kemi punuar gjatë tërë javës për Prishtinën dhe mendoj se jemi gati. E kemi parasysh që Prishtina ka ekip të mirë dhe nuk do të jetë lehtë, por synimi ynë është të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të marrim rezultat pozitiv në këtë derbi”, është shprehur Morina.
Edhe te Prishtina synojnë fitoren ndaj Bashkimit për të vazhduar formën e mirë që e kanë treguar në shtëpi. Prishtina kërkon fitoren e tretë rresht, pasi në dy xhirot e kaluara mposhti Yllin në shtëpi dhe Istogun në udhëtim. Tek ekipi nga kryeqyteti e kanë parasysh edhe formën që Bashkimi e ka treguar këtë edicion dhe për këtë arsye e shohin si një përballje të vështirë. Mirëpo, te Prishtina besojnë se do ta fitojnë derbin e xhiros.
Kapiteni Dardan Berisha ka thënë se ekipi gradualisht po futet në formën e duhur dhe me përkrahjen e tifozëve do ta kërkojnë fitoren ndaj Bashkimit.
“E kemi parasysh që Bashkimi ka treguar paraqitje të mira në fillim të këtij edicioni dhe sigurisht pres një ndeshje të fortë. Mbi të gjitha shpresoj në basketboll të mirë për ta konfirmuar epitetin e derbit. Ekipi ynë ka punuar mirë gjatë javës dhe është përgatitur në të gjitha aspektet. Sigurisht ne futemi për ta fituar ndeshjen pasi luajmë në shtëpi dhe gjithashtu do ta kemi përkrahjen e tifozëve tanë”, tha Berisha.
Të dielën do të zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të xhiros së pestë. Në palestrën “Karagaçi”, Peja e pret skuadrën e Istogut, që për herë të parë po luan në elitë. Peja vlerësohet favorite e madhe në këtë përballje, duke pasur parasysh se është ekipi i vetëm që nuk di për humbje këtë edicion. Ka katër fitore në po aq ndeshje të luajtura, ndërsa Istogu ka regjistruar vetëm një fitore karshi tri humbjeve. Dueli mes Pejës dhe Istogut do të nis prej orës 20:30.
Dy ndeshje do të zhvillohen të shtunën. Prej orës 17:00, Prizreni e pret skuadrën e Trepçës në palestrën “Sezai Surroi”. Skuadra e Prizrenit këtë edicion ka pasur start të dobët, ku në katër ndeshjet e para ka regjistruar vetëm një fitore, ndërsa Trepça ka vetëm një disfatë.
Në duelin tjetër, që zhvillohet në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi do ta kërkojë fitoren e parë ndaj Golden Eagle Yllit. Vëllaznimi ka katër humbje deri më tani, ndërsa edhe Ylli nuk ka pasur rezultate të mira pasi ka regjistruar vetëm një fitore. Kjo ndeshje nis në orën 19:00.
Superliga – V
E shtunë
P. C. Prizreni – Trepça (17:00)
Vëllaznimi – G. E. Ylli (19:00)
E diel
S. Prishtina – Bashkimi (16:00)
Peja – Istogu (20:30)
1. Peja 4 8
2. Trepça 4 7
3. S. Prishtina 4 7
4. Bashkimi 4 7
5. G. E. Ylli 4 5
6. P. C. Prizreni 4 5
7. Istogu 4 5
8. Vëllaznimi 4 4