Sport

Bashkimi shpreson ta befasojë Pejën në “Karagaçi”

Skuadra e Bashkimit ka “mision” të vështirë në kuadër të xhiros së shtatë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Bashkimi i Prizrenit do të synojë ta befasojë skuadrën e Pejës në derbin e kësaj xhiroje. Ndeshja luhet të dielën prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Kampionia në fuqi, Peja, ka treguar formë të lartë këtë edicion. I prinë tabelës me pikë maksimale, 12, pas gjashtë ndeshjeve të luajtura. Peja është ekipi i vetëm që ende nuk di për humbje në kampionatin e Kosovës.

Për dallim prej Pejës, Bashkimi ka tri fitore e po aq humbje dhe zë vendin e katërt në tabelë me nëntë pikë të tubuara. Te skuadra prizrenase pranojnë forcën e Pejës dhe e dinë se do të jetë shumë vështirë t’ia shkaktojnë humbjen e parë këtë edicion në kampionat. Krahas paraqitjeve të mira në Superligë, Peja ka shfaqur formë të mirë edhe në FIBA Europe Cup. Në tri ndeshje të luajtura në fazën e grupeve, Peja ka regjistruar dy fitore dhe një humbje.

Trajneri i Bashkimit, Edin Kërveshi, pret angazhim maksimal të ekipit të tij përballë Pejës. Kërveshi thotë se vetëm me angazhim maksimal mund t’i bëjnë ballë ekipit të trajnerit Rami Hadar.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne. Peja është në formë të mirë dhe nuk di ende për humbje në ligë. Mirëpo ne do të japim maksimumin pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë më shumë. Nëse angazhohemi maksimalisht në mbrojtje dhe fokusohemi në sulm, atëherë do të jemi në lojë për fitore deri në sekondat e fundit”, është shprehur Kërveshi të premten për KOHËN.

Te Peja janë të motivuar për ta vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Pejanët kanë insistuar se janë plotësisht gati për fitoren e radhës, ndonëse kanë vlerësuar skuadrën e Bashkimit.

Mesjavën e ardhshme pejanët synojnë triumfin e radhës në garat evropiane. E presin skuadrën gjermane Niners Chemnitz.

Të dielën prej orës 17:00 zhvillohet edhe një ndeshje interesante në kuadër të xhiros së shtatë. Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, skuadra e Trepçës e pret Golden Eagle Yllin. Trepça ka vetëm një humbje në kampionat, ndërsa në këtë ndeshje do të futet pas humbjes së thellë që e pësoi në kuadër të FIBA Europe Cup. Të mërkurën mitrovicasit pësuan thellë më Francë nga Gravelines.

Ylli nuk ka pasur start të mirë. Skuadra suharekase në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani, ka dy fitore e katër humbje. Ka tubuar 8 pikë, tri më pak se Trepça që zë vendin e dytë.

Xhiroja do të hapet të shtunën me dy ndeshje. Dueli i parë do të luhet në Gjakovë ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës. Ndeshja në Gjakovë nis në orën 17:00. Vëllaznimi është në seri prej dy fitoreve, ndërsa Prishtina vjen pas humbjes nga Peja.

Prej orës 19:00 të shtunën, Proton Cable Prizreni përballet me Istogun në palestrën “Sezai Surroi”. Të dyja ekipet kanë bilanc - një fitore dhe pesë humbje.

Superliga – VII

E shtunë

Vëllaznimi – S. Prishtina (17:00)

P. C. Prizreni – Istogu (19:00)

E diel

Trepça – G. E. Ylli (17:00)

Peja – Bashkimi (19:00)

1. Peja 6 12

2. Trepça 6 11

3. S. Prishtina 6 10

4. Bashkimi 6 9

5. G. E. Ylli 6 8

6. Vëllaznimi 6 8

7. P. C. Prizreni 6 7

8. Istogu 6 7