Besart Baruti ka fituar votat e një grupi përfaqësuesish të klubeve për të udhëhequr me Federatën e Karatesë së Kosovës (FKK).
Baruti mori 26 vota nga 48 delegatë sa ishin pjesëmarrës në fillim të Kuvendit të “përbashkët” të Jashtëzakonshëm Zgjedhor të FKK-së. 22 delegatë, që ishin në mbështetje të kandidatit tjetër për kryetar, Shemsi Shaqiri, e kanë lëshuan Kuvendin e mbajtur të shtunën.
Deri në fund të punimeve nuk ka qëndruar as njëri prej dy të deleguarve të MKRS-së për monitorim të Kuvendit që u mbajt në Prishtinë.
Grupi që ishte në mbështetje të Shemsi Shaqirit e ka lëshuar sallën me arsyetimin se shtatë klube nuk kanë pasur drejtë vote për shkak të konfliktit të interesit.
Shemsi Shaqiri pret nga MKRS-ja të marrë masa ligjore.
“Kuvendi dështoi të mbahet për arsye se u evidentuan shumë parregullsi lidhur me legjitimitetin e shtatë klubeve të cilat kanë konflikt interesi, të sanksionuar me statutin e FKK-së dhe udhëzimin administrativ të MKRS-së. Kërkesa për shtyrje të Kuvendit për një afat të shkurtër, e iniciuar nga një grup i kuvendarëve, nuk kaloi dhe kështu kuvendi dështoi të mbahet. Presim nga MKRS-ja që të evidentoi parregullsitë e shfaqura në fillim të kuvendit dhe të marrë masa ligjore lidhur me to. Pas eliminimit të parregullsive, konfliktit të interesit të disa klubeve, të mbahet një kuvend i përbashkët nga të gjitha klubet legjitime”, shkruan në postimin e Shaqirit në “Facebook”.
KOHA më herët ka raportuar se në shumë klube të karatesë trajnerët janë drejtues e bashkëthemelues. Kjo sipas MKRS-së prodhon konflikt interesi.
Të drejtë pjesëmarrjeje në Kuvend kishin të gjitha klubet që, ndër të tjera, janë të licencuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Të drejtë vote kishin 49 klube që kanë përmbushur kriteret për pjesëmarrje në Kuvend, ndërsa në sallë ishin të pranishëm përfaqësues të 48 klubeve.
Federata e Karatesë e Kosovës e ka të pezulluar nga shtatori licencën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Baruti thotë se Kuvendi është legjitim dhe se është monitoruar edhe nga zyrtarë të MKRS-së dhe KOK-ut.
“Një pjesë e klubeve janë tërhequr nga gara, por prej 48 delegatëve, 26 ishin pro që unë të drejtoj me Federatën. Besoj se do t’i kthehet normaliteti Federatës. Unë do të jem i hapur për të gjitha klubet e karatesë drejtë realizimit të synimeve që i kemi. Në Kuvend kanë qenë të pranishëm zyrtarë të MKRS-së dhe KOK-ut, të cilët kanë konfirmuar se gjithçka është në rregull”, ka thënë Baruti për KOHËN të shtunën.
Baruti e Shaqiri ishin kandidatët e vetëm për ta fituar garën për të parin e komunitetit të karatesë, që ka funksionuar i ndarë në dy grupe nga korriku i vitit të kaluar.
Baruti pret që MKRS-ja shpejtë t’ia kthej licencën e pezulluar federatës. Ai pret edhe suksese të karateistëve.
“Do të udhëtojmë drejt Gjeorgjisë, shtet që ka pranuar të na pres me drejta të plota. Pra duke garuar me flamur dhe simbole tjera shtetërore. Pres të kthehemi edhe nga Evropiani për kadetë, juniorë dhe U21 si fitues”, është shprehur Baruti.
Nënkryetarë të FKK-së janë zgjedhur Ismail Fazliu dhe Shkëlzen Balaj, kurse anëtarë të Bordit, Gazmend Havolli, Muhamet Kolgeci, Drita Rafuna Shaqiri, Bashkim Ibrahimi, Gresa Zhitia, Valon Halimi, Arsim Ibrahimi, Bajram Desku dhe Eranda Krasniqi.
Tani pritet interpretim nga MKRS-ja lidhur me atë se a ishte kuvendi i rregullt apo jo, përkatësisht se a do të kalohen telashet në karate apo vetëm do të rriten.