Xhiroja e 24-t e Superligës së Kosovës në futboll ka vënë përballë katër skuadra që po luftojnë për mbetje në elitën e futbollit kosovar. Llapi barazoi me Drenicën në Podujevë 3:3, kurse pa gola u mbyll ndeshja në Mitrovicë, ndërmjet Trepçës ’89 dhe Feronikelit. Këto dy barazime të së mërkurës e kanë bërë edhe më të paqartë garën për mbetje në kategorinë më të lartë të futbollit të Kosovës edhe për edicionin tjetër.
Përveç Besës, që është e fundit dhe pa gjasa për të mbetur në Superligë, që nga vendi i nëntë që e mban Drenica me 24 pikë e deri te pozita e katërt, ku është Gjilani me 33 pikë (me një ndeshje më pak), distanca në pikë është vetëm tetë. Të gjitha këto skuadra do të luftojnë deri në fund për të siguruar Superligën për edicionin 2021/2022.
Drenica e kishte në duar fitoren pasi hyri në dhjetë minutat e fundit me dy gola epërsi (3:1), por të cilën nuk ia doli ta ruajë, pasi llapjanët barazuan rezultatin. Ky barazim i mban “kuqezinjtë” në pozitën e parafundit (9), që në fund dërgon në Ligën e Parë. Pikët kishin vlerë të madhe për Llapin që është i shtati me 27 pikë. Po ashtu është skuadër që rrezikon të bjerë një kategori më poshtë. Por në fund Llapi mori vetëm një pikë.
Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ishte i dëshpëruar me barazimin që e mori ndaj Llapit. Ai theksoi se i vjen inati që lojtarët e tij nuk e din potencialin që kanë.
“Mezi pres të shkoj në dhomën e zhveshjes t’i kap me grushte dhe shqelma. Më vjen inat që nuk e dinë ende forcën që kanë. Jo gjithkush i jep tre gola ndaj Llapit. Jam i kënaqur me shumë gjëra, siç jam i pakënaqur me disa aspekte me topa të kthyer dhe gjuajtjet standarde. Me punë dhe stërvitje të mundohemi të marrim sa më shumë pikë për të siguruar më shpejt mbijetesën. Nuk ishim gabim në ndërrime, por në vendosjen e lojtarëve”, ka thënë Devolli pas ndeshjes.
Ndërkaq, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka fajësuar arbitrin, portierin dhe njërin qendërmbrojtës për tre golat e pranuar.
“Në pjesën e parë pranuam gol pasi përfundoi ndeshja. Pra përfundoi koha shtesë dhe arbitri e vazhdoi ende lojën dhe pranuam golin. Në pjesën e dytë i pranuam edhe dy gola të tjerë me gabimet tona. Më pas është dashur të rrezikojmë, duke luajtur me pesë lojtarë ofanzivë. Kemi rrezikuar që të kthejmë rezultatin ose të pranojmë edhe më shumë gola”, ka thënë Batatina. Ai është mburrur për ndërrimet e bëra.
“Trajneri e ka këtë detyrë. I kam bërë zëvendësimet e duhura. Ahmed Januzin e kam ruajtur dhe ai është lojtar që di të vendosë ndeshjet. Mund të them se me gabimet tona ia falëm një pikë Drenicës. Paraqitja e skuadrave ishte në nivele të tjera. I falëm dy gola, një me gabim të portierit, një të qendërmbrojtësit”, u shpreh Batatina.
Trepça ’89, që është e pesta me 32 pikë, me fitore eventuale do të krijonte një shkëputje dhe do të ishte më e qetë në vazhdim të kampionatit. Pikët kishin rëndësi edhe për Feronikelin, që zë vendin e gjashtë me 27 pikë.
Trajneri i “minatorëve”, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar pas ndeshjes se skuadrës së tij i ka munguar fati kundër Feronikelit. Ai shtoi se 89-shit po i mungon një sulmues tipik.
“Ishte ndeshje e hapur nga dy ekipet dhe me raste të shumta për shënim. Mëkat që nuk morëm pikët e plota nga kjo ndeshje, pasi që kishim disa mundësi për të realizuar. Mund të them se na mungon pjesa finale te goli, ose më mirë të themi një sulmues që e shtyn topin drejt golit. Megjithatë, i falënderoj lojtarët për angazhimin dhe kam një urim për gjyqtarët e ndeshjes, të cilët e kanë kryer detyrën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Idrizi.
Kurse, ndihmëstrajneri i Feronikelit, Faruk Elshani, që u prononcua në vend të Klodian Durës që nuk foli, u shpreh se fati nuk ishte në anën e “Niklit”. Por Elshani tha se janë të kënaqur me barazim.
“Ne gjithmonë hyjmë për të fituar ndeshjen, mirëpo fati nuk ishte në anën tonë, pasi që krijuam shumë raste dhe topi nuk u fut në portë, por përfundoi në shtyllë. Me këtë barazim mund të jemi të kënaqur, ashtu siç mund të jemi të kënaqur me këtë lloj referimi, i cili ishte në nivel të detyrës dhe vetëm në këtë mënyrë mund të ecim para. Jo vetëm Feronikelit, por ndoshta çdo skuadër në Superligë po u mungon nga një golashënues. Ne duhet të përmirësohemi shumë në këtë drejtim, pasi që rastet nuk po na mungojnë”, tha Elshani.
Feronikeli është skuadra me më së shumti barazime në ligë deri më tani. Pas 24 ndeshjeve të luajtura, ka barazuar dhjetë herë. Skuadra tjetër që po lufton për mbijetesë, Arbëria, do të luajë të enjten kundër Ballkanit, ekip që është në garë për titull. Ndërkaq Gjilani që zë vendin e katërt e që i rrezikohet nga Trepça ’89, që ka vetëm një pikë më pak, do të takohet me rivalin lokal, Dritën, që është në vendin e dytë me pikë të njëjta me Prishtinën. Por kampionia në fuqi ka një ndeshje më pak të luajtur.