Sport

Barazim “triumfal”, Shqipëria në Evropian

Kënga shqipe ka jehuar të premten mbrëma në stadiumin “Zimbru” në Chisinau të Moldavisë. Do të jehojë edhe në Gjermani në verën e ardhshme.

Shqipëria do të jetë njëra prej kombëtareve që do të paraqiten në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”. Biletën për në Evropianin e vitit të ardhshëm e siguroi të premten në Chisinau.

Nuk e kishte shkëlqimin e ndeshjeve të fundit, por mori pikën që i duhej për ta siguruar vendin në Evropian, për herë të dytë.

Moldavia e Shqipëria luajtën 1:1 në kuadër të xhiros së parafundit të kualifikimeve. Shqipëria tani i ka 14 pikë nga shtatë ndeshje. Ndeshjen festive do ta ketë të hënën nga ora 20:45 në “Air Albania”. Do të takohet me Ishujt Faroe për përmbyllje të një cikli historik kualifikues.

Shqipëria debutoi në Evropian në vitin 2016, kur mori tri pikë në Grupin A. Kishte fituar 1:0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e fundit në grup.

Ecuria në kualifikimet aktuale bën që shqiptarët të shpresojnë për më shumë në “Gjermania 2024”.

Shumë do të varet nga shorti që do të tërhiqet më 2 dhjetor prej orës 18:00 në Hamburg. Evropiani do të mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik të vitit të ardhshëm në Berlin, Munih, Dortmund, Stuttgart, Gelsenkirchen, Frankfurt, Hamburg, Duesseldorf, Koeln dhe Leipzig.

Ishte sulmuesi Sokol Cikalleshi që shënoi golin e Shqipërisë ndaj Moldavisë në ndeshjen vendimtare të së premtes. Ai realizoi nga pika e bardhë në minutën e 25-të për 1:0. Penalltinë e siguroi Taulant Seferi, që u pengua në zonë në mënyrë të palejuar.

Ndërkohë Vladislav Baboglo shënoi për 1:1 në minutën e 87-të. Kuqezinjtë i mbijetuan një ofensive të vendasve në minutat e fundit për festën e madhe në fund. Shqipëria kishte shumë tifozë në stadium, që ia dhënë këngës bashkë me lojtarët me të përfunduar ndeshja.

Ndeshja nuk ishte prej më të mirave të Shqipërisë së Sylvinhos. Por, Moldavia ka shfaqur ndeshje të mëdha në këtë cikël dhe pritej t’u shkaktonte telashe kuqezinjve. Humbjen e vetme në kualifikime për “Euro 2024” Moldavia e pësoi nga Shqipëria në Tiranë.

Moldavët i kishin 13 raste gjithsej në ndeshjen e së premtes, ndërsa Shqipëria i kishte dhjetë. Goditje në kornizë të portës Moldavia i kishte gjashtë, ndërsa Shqipëria katër. Por, kuqezinjtë dolën kryelartë nga fusha e stadiumit në Chisinau dhe si fitues të mëdhenj.

Përzgjedhësi Sylvinho i besoi ekipit të njëjtë për ndeshjen ndaj Moldavisë. Në portë ishte Etrit Berisha e para tij kapiteni Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli. Ismajli e zëvendësoi Arlind Ajetin që startoi në ndeshjet e kaluara e që mungon në këtë grumbullim për shkak të lëndimit. Në krah të mbrojtjes ishin Elseid Hysaj e Mario Mitaj. Mesfusha e fortë e Shqipërisë sërish përbëhej nga Kristjan Asllani, Ylber Ramadaniu e Nedim Bajrami. Më të avancuar ishin Jasir Asani e Taulant Seferi, ndërsa në krye të sulmit ishte Sokol Cikalleshi.

Shqipëria ka katër fitore, dy barazime e një humbje. Humbjen e vetme e kishte pësuar më 27 mars ndaj Polonisë në Varshavë. Më pas nisi serinë pozitive, që vazhdon ende. Seri që siguroi pjesëmarrjen e dytë në Kampionat Evropian.