Ballkani e pati dominimin në ndeshjen që të enjten mbrëma e luajti në udhëtim tek Astana. Kishte disa mundësi të mira shënimi me Nazmi Gripshin e Almir Kryeziun. Por, nuk arriti të shënonte.
Nga udhëtimi i largët në Kazakistan u kthye me një pikë. Barazoi pa gola. Pika e fituar në Kazakistan jep shpresë për kalimin e grupit. Ballkani do t’i ketë edhe dy “finale” në Grupin C të Ligës së Konferencës.
Më 30 nëntor luan ndaj Viktoria Plzenit në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse më 14 dhjetor luan ndaj Dinamos në Zagreb.
Skuadra çeke, Viktoria Plzen, e ka siguruar kalimin në fazën nokaut me fitoren e së enjtes ndaj Dinamos. Plzeni ka 12 pikë në vendin e parë. Astana e Ballkani kanë nga katër pikë, derisa Dinamo i ka tri. Dy të parët në grup avancojnë.
Ilir Daja, trajneri i kampionit të dy edicioneve të fundit në Superligën e Kosovës, Ballkani, ka kërkuar përkrahjen më të madhe të mundshme nga tifozët për duelin e radhës në garën e nivelit të tretë evropian.
“Të jemi me këmbë në tokë dhe të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur për ndeshjen e radhës. Presim që ta kemi stadiumin e mbushur plot dhe me mbështetjen e flaktë të tifozëve tanë dhe të gjithë Kosovës të arrijmë një tjetër sukses së bashku”, ka thënë Daja të premten për KOHËN.
Daja është i kënaqur me prezantimin e Ballkanit në edicionin aktual të Ligës së Konferencës. Por, nuk ka folur për gjasat e Ballkanit për kalimin e grupit. Vazhdimisht thekson se skuadra e tij do të mundohet ta japë maksimumin për paraqitje sa më të mirë.
“Mendoj që ekipi ka bërë mirë në këtë prezantim të dytë në Ligën e Konferencës, ashtu si në edicionin e kaluar. Tani na pret një ndeshje e fortë në Prishtinë me Viktoria Plzenin”, ka shtuar Daja.
Ballkani në edicionin e kaluar mblodhi katër pikë në fazën grupore, në debutim në Ligën e Konferencës. Katër pikë i ka tani pas katër ndeshjeve. Numri i pikëve mund të ishte më i madh sikur Ballkani t’i shfrytëzonte rastet që iu shfaqën në duelin e fundit ndaj Astanas.
Qëndrim Zyba shpreh keqardhje që nuk u fitua ndeshja në Kazakistan. Ai është prej lojtarëve kryesorë të klubit suharekas.
“Me të vërtetë ishte një ndeshje shumë me rëndësi për ne dhe mendoj se kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Edhe kjo pikë do të na shërbejë shumë për të ardhmen sepse kemi edhe dy ndeshje që mendojmë se do të marrim pikë nga të dyja dhe pastaj të shohim gjatë rrugës se si do të jetë situata”, ka theksuar mesfushori.
Zyba 22-vjeçar e pranon se paraqitja e edicionit të kaluar në garat evropiane ka pasur ndikim tek ai dhe bashkëlojtarët.
“Përvoja nga viti i kaluar ka shërbyer goxha shumë. Na ndihmon që të bëjmë paraqitje edhe më të mira dhe shpresojmë që hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshjeje të marrim rezultate të mira dhe të synojmë një mrekulli, të cilën ia kemi vendosur vetes objektiv, pra kalimin e grupit. Por, gjithmonë me këmbë në tokë sepse kemi shumë punë për të bërë. Ka skuadra shumë cilësore në grup dhe duhet të punojmë shumë për të marrë rezultate pozitive”, ka deklaruar Zyba.
Paraqitjet e Ballkanit edhe në Superligë në këtë edicion kanë qenë të mira. Është skuadra e vetme pa humbje. Ka nëntë fitore e dy barazime dhe prin në tabelë me 29 pikë.