Sport

Ballkani vazhdon kontratën me Ilir Dajën deri në vitin 2026

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka vazhduar kontratën me trajnerin Ilir Daja.

Tekniku tiranas e ka udhëhequr Ballkanin drejt dy titujve të kampionit dhe dy kampanjave historike në Ligën e Konferencës. Ballkani dy herë rresht arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, duke shkruar kështu kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar.

Skuadra suharekase aktualisht është në krizë të rezultateve, por mbetet lidere në Superligën e Kosovës në futboll. Ka një pikë më shumë se Llapi. Ka pasur zëra se Daja e Ballkani mund të ndahen, por klubi kampion të hënën hoqi të gjitha dilemat. Daja 57-vjeçar, sipas marrëveshjes së re, do të jetë te Ballkani edhe për dy vjet e gjysmë.

“Tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’i shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë”, ka shkruar Ballkani në njoftimin për vazhdimin e kontratës me trajnerin Daja.

Daja ka drejtuar skuadra të shumta në Shqipëri si Elbasanin, Dinamon e Tiranës, Besën e Kavajës, Tiranën, Skënderbeun e Korçës, Flamurtarin e Vlorës dhe Partizanin e Tiranës. Prej fillimit të vitit 2022 është te Ballkani.

Ballkani e ka vlerësuar lartë punën e Dajës, duke shkruar që ai ka bërë vepra të pavdekshme. Pas xhiros së 22-të të kampionatit të Kosovës, Ballkani është lider me 45 pikë. Llapi i ka 44 pikë e Drita 43.

Ballkani është pa fitore në tri xhirot e fundit. Në xhiron e parë të stinorit pranveror fitoi 3:0- ndaj Lirisë. Më pas barazoi me Feronikelin 74, humbi nga Drita dhe barazoi me Gjilanin. Pikë të shumta kishte lëshuar edhe në fund të stinorit vjeshtor dhe kështu gara për titull, që vlerësohej e mbyllur në mes të vjeshtës, është hapur plotësisht.

Te Ballkani shpresojnë në titullin e tretë rresht. Dhe atë e synojnë me Dajën si udhëheqës të shtabit teknik.