Sport

Ballkani synon fitoren në Zagreb, pret ndihmë edhe nga Plzeni

Te skuadra e Ballkanit nuk kishin kohë të merren me humbjen nga Llapi. Suharekasit menjëherë kanë kthyer fokusin te ndeshja tjetër, e që është shumë e rëndësishme.

Ballkani të shtunën pësoi 5:3 në udhëtim te Llapi. Për klubin kampion të Kosovës ishte humbja e parë këtë edicion në Superligë.

Ballkani të enjten do ta ketë tjetër përballje të vështirë në udhëtim. Do të luaj me Dinamon në Zagreb. Ndeshja i takon xhiros së fundit të fazës grupore të Ligës së Konferencës dhe është vendimtare për të dyja skuadrat.

Dueli mes Dinamos dhe Ballkanit zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në stadiumin “Maksimir” në Zagreb. Pas pesë xhirove të zhvilluara në grupin C, ka mbetur pa u caktuar skuadra e dytë që do të avancojë në fazën tjetër.

Viktoria Plzeni tashmë ka siguruar vendin e parë në grup dhe avancimin në një të tetën e finales. Për vendin e dytë në grup, që siguron kalimin në rundin e plejofit, në garë janë Dinamo, Astana dhe Ballkani. Dinamo i ka gjashtë pikë në vendin e dytë, ndërsa Astana e Ballkani kanë nga katër pikë në pozitat tre e katër. Skuadra çeke, Viktoria Plzen e ka fituar grupin, ndërsa i ka 15 pikë.

Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç ka thënë se e kanë parasysh rëndësinë e takimit në Zagreb. Ai ka pranuar se kalimi tutje i Ballkanit nuk varet vetëm nga ndeshja ndaj Dinamos. Në fakt për avancim tutje të Ballkanit, fitorja ndaj Dinamos është e domosdoshme por duhet ndihmë nga Plzeni.

Skuadra çeke përballet me Astanan dhe në rast se Ballkani mposht Dinamon, atëherë Plzeni nuk duhet të pësoj humbje prej skuadrës nga Azerbajxhani, që kampioni kosovar të avancojë. Edhe ndeshja Plzen – Astana zhvillohet prej orës 21:00.

“Ne përgatitemi për secilën lojë në të njëjtën mënyrë dhe menjëherë i kemi nisur përgatitjet për ndeshjen me Dinamon. Sigurisht që jo vetëm në këtë ndeshje, por në secilën duam të fitojmë. Jemi të vetëdijshëm se vetëm fitorja mund të na siguroj kalimin tutje por edhe nëse Plzeni nuk pëson nga Astana”, është shprehur Kuç të hënën për KOHËN.

Deri më tani, Ballkani ka një fitore, një barazim dhe tri humbje në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Fitoren e arriti ndaj Dinamos në Prishtinë me rezultatin 2:0.

Mesfushori Kuç shpreson që Ballkani të bëjë një paraqitje të tillë edhe në Zagreb dhe të ketë pak fat përballë Dinamos, që e vlerëson lart.

“Ne nuk mund të llogarisim se vetëm fitorja ndaj Dinamos na kryen punë. Shpresojmë që të kemi pak më shumë fat dhe Zoti të na shpërblejë për gjithçka që kemi bërë deri më tani. Sipas meje, Dinamo është ekipi më i mirë në grup. Edhe pse Plzeni është i pari, mendoj se Dinamo ka ekipin më të mirë”, shtoi reprezentuesi i Malit të Zi.

“Ne treguam në Prishtinë se mund të luajmë kundër skuadrës kampione nga Kroacia. Tani na mbetet të japim maksimumin edhe në Zagreb dhe më pak fat mund të shkojmë tutje”.

Përkundër që Dinamo është ekipi më i mirë në grup, sipas tij, Kuç insiston se Ballkani në fushën e stadiumit “Maksimir” do të dalë për fitore. Ai thekson se të gjithë te Ballkani besojnë se mund të arrijnë edhe një fitore tjetër të madhe në këtë edicion në Ligën e Konferencës.

“Nëse nuk do të kishim besuar nuk do të kishim arritur asgjë deri më tani. Dinamo është një klub i madh, me traditë të madhe, por ne nuk kemi frikë nga askush. Shpresoj të jetë mbrëmja jonë dhe me pak fat të arrijmë një tjetër fitore për synimin e madh. Sigurisht, nuk varet gjithçka prej nesh pasi duhet të përcjellim edhe rezultatin e ndeshjes Plzen – Astana”, tha Kuç.

Kapiteni Kuç thotë se krenohet me paraqitjet e Ballkanit këtë edicion në Ligën e Konferencës. Në fakt, për Ballkanin kjo është hera e dytë që paraqitet në këtë garë të UEFA-s. Debutoi edicionin e shkuar, kur u eliminua në fazën e grupeve.

Kuç thotë se gjërat këtë edicion kanë mundur të ishin ndryshe sikur Ballkani të kishte të gjithë lojtarët. Ballkanit këtë edicion iu larguan Meriton Korenica e Albion Rrahmani, të cilët ishin në mesin e lojtarëve kyç të ekipit. Skuadra suharekase ka pasur telashe të vazhdueshme me lëndime.

“Ne ishim pak të pafat këtë vit, ndoshta lojtarët kryesorë nuk luajtën për ne në momentet më të rëndësishme. Mendoj se mund të jemi të kënaqur, jemi në lojë deri në xhiron e fundit, kemi diçka për të shpresuar. Mund t’i kishim bërë më të lehta gjërat për veten më herët, por siç thashë, disa gjëra ndryshuan rrjedhën. Gjëja më e rëndësishme është që të jemi të fokusuar në ndeshjen e radhës, me maksimumin tonë dhe mbështetjen e të gjithë tifozëve mund të shpresojmë deri në fund”, deklaroi Kuç.

Ndonëse humbi nga Llapi, Ballkani është shumë para në garën për titull të kampionit të Kosovës. Tani fokusin e ka te Liga e Konferencës.