Sport

Ballkani synon fitore ndaj Gjilanit që të konfirmohet “kampion vjeshtor”

Te Ballkani janë të vendosur për ta mbajtur pozitën e parë në Superligën e Kosovës në futboll edhe pas përfundimit të stinorit vjeshtor. Për ta bërë këtë, Ballkanit i duhet fitorja në derbin e xhiros së 18-të kundër skuadrës së Gjilanit.

Ndeshja Ballkani – Gjilani është e fundit në elitën e futbollit kosovar për këtë vit, të cilin ekipi nga Suhareka po synon ta mbyllë me fitore. Kështu ka insistuar sulmuesi i Ballkanit, nigeriani Theophilus Solomon të premten për KOHËN.

Dueli mes Ballkanit dhe Gjilanit zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në Suharekë. Ballkani është lider i Superligës me 33 pikë të mbledhura, një më shumë se Gjilani, që zë vendin e dytë në tabelë. Ndërkohë Drita është e treta me 31 pikë.

Solomon ka thënë se e ka parasysh rëndësinë e duelit me Gjilanin dhe ka insistuar se do ta bëjë të pamundurën për ta ndihmuar ekipin e tij drejt triumfit. Ndeshja e parë ndërmjet këtyre skuadrave, e luajtur në qytetin e Gjilanit, kishte përfunduar pa fitues, 1:1.

Solomon thotë se është shumë e rëndësishme për Ballkanin që të dimërojë si lider, sidomos pas formës së mirë që e ka treguar këtë edicion. Nga 17 ndeshje të zhvilluara Ballkani ka nëntë fitore, gjashtë barazime dhe vetëm dy humbje. Ndërkohë Gjilani ka vetëm një humbje karshi tetë fitoreve dhe po aq barazimeve. Sa i përket goldallimit, dy skuadrat e kreut e kanë të njëjtë. Kanë shënuar nga 22 gola dhe kanë pranuar nga 13.

“E kemi parasysh se Gjilani ka një skuadër të mirë dhe me lojtarë cilësorë, kështu që presim të jetë një ndeshje e fortë. Na pret derbi i vërtetë në xhiron e fundit të pjesës së parë të këtij kampionati. Besoj se dy skuadrat jemi përgatitur mirë për këtë takim, pasi duam që ta mbyllim vitin në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Solomon. “Ne duam të japim maksimumin dhe do të futemi në fushë me synimin e vetëm për të fituar. Po ashtu presim edhe përkrahjen e tifozëve tanë, që do të jetë shumë e rëndësishme në këtë derbi”.

Në pesë ndeshjet e fundit Ballkani ka regjistruar katër fitore dhe një humbje. Ndërsa Gjilani është në një seri të mirë, ku në 12 ndeshjet e fundit nuk di për humbje.

Gjilani po synon derbi të suksesshëm, për t’u kthyer fuqishëm në pranverë. Këtë e ka thënë qendërmbrojtësi Arbër Prekazi, i cili para fillimit të këtij edicioni u largua nga Ballkani për t’u transferuar te skuadra e Gjilanit.

“Presim një ndeshje të vështirë pasi që vlerësojmë cilësitë e skuadrës kundërshtare. Forma që suharekasit po e kalojnë këtë edicion na ka bërë që të përgatitemi sa më mirë për këtë duel. Vlerësojmë individët që Ballkani i ka në skuadër, por edhe për lojën kolektive që aplikon. Nuk duhet harruar që ne jemi paraqitur mjaft mirë këtë edicion, pavarësisht shumë peripecive që i kemi pasur. Kemi një grup shumë të fortë dhe të mobilizuar dhe me besim maksimal do të futemi në këtë ndeshje”, ka thënë Prekazi. “Te Ballkani kam kaluar mirë, por e ardhmja i takon Gjilanit dhe unë do të jap gjithçka nga vetja për ta fituar ndeshjen e së dielës. Pavarësisht si përfundon kampionati vlerësojmë që kemi bërë një sezon të mirë dhe jemi në pritje të një super sezoni tjetër në pranverë”.

Të dielën zhvillohet edhe një ndeshje, ajo ndërmjet Malishevës dhe Dukagjinit, që starton prej orës 13:00.

Ndërkohë të shtunën hapet xhiroja, kurse dueli më interesant do të jetë ai ndërmjet Llapit dhe Prishtinës. Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me vendim të Komisionit të Garave, që ka konstatuar se fusha në Merdar nuk i plotëson kushtet për lojë.

Llapi është i katërti në tabelë me 26 pikë të mbledhura, dy më shumë se Prishtina që renditet e pesta. Skuadra e Llapit në dy ndeshjet e fundit ka luajtur pa gola, seri kjo që ka ardhur pas katër fitoreve rresht. Ndërkohë, Prishtina në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi në shtëpi nga skuadra e Dritës (1:0). Të shtunën prej orës 13:00, Drita e pret në shtëpi Ulpianën, ndërsa në Drenas do të luhet ndeshja mes Feronikelit e Drenicës. Feronikeli është i fundit në tabelë dhe në nëntë ndeshjet e fundit ka një barazim e tetë humbje, kurse në seri negative është edhe skuadra e Drenicës që ka tetë humbje rresht.

Fitoren e fundit, Drenica e ka pikërisht ndaj Feronikelit, që e pati mposhtur 4:0 në Skenderaj.