Te skuadra e Ballkanit kanë thënë se nuk e ndiejnë presionin e Dritës, para duelit me skuadrën e Prishtinës, që vlerësohet kryendeshja e xhiros së 23-të në elitën e futbollit të Kosovës.
Ndeshja mes Prishtinës dhe Ballkanit zhvillohet të dielën prej orës 13:00 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, ka 48 pikë në vendin e parë, një më shumë se Drita në pozitën e dytë, që e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Meriton Korenica, një prej lojtarëve më të mirë te skuadra e Ballkanit, ka thënë të shtunën për KOHËN se ai dhe bashkëlojtarët shikojnë vetëm ndeshjet e skuadrës së tyre.
“Nuk ndihemi nën presion të askujt, sepse ne gjithmonë shikojmë lojën tonë dhe merremi me veten tonë. Shikojmë para për lojën e radhës, në mënyrë që në fund t’i arrijmë qëllimet tona si klub”, ka thënë fillimisht Korenica.
26-vjeçari Korenica me Ballkanin në këtë edicion të Superligës ka realizuar katër gola, ndërsa e ka edhe një asistim.
Më parë karrierë ka bërë edhe te Prishtina dhe paraqitjet kundër “bardhekaltërve” për të gjithmonë janë të veçanta. Megjithatë, Korenica synon që nga Lipjani të largohet si fitues. Prishtina po luan si vendëse në Lipjan për ta ruajtur fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne jemi të përgatitur maksimalisht. Ne synojmë ta bëjmë më të mirën si gjithmonë dhe të marrim pikët e plota”, është shprehur Korenica.
Ballkani është në seri pozitive. Nuk di për humbje në dhjetë ndeshjet e fundit. Ka shtatë fitore e tri barazime. Në xhiron e fundit barazoi me Dukagjinin.
Ndryshe nga suharekasit, Prishtina kishte formë të dobët në fillim të stinorit pranveror. Pati tri disfata të njëpasnjëshme, ndërsa në fundjavën e kaluar mposhti Llapin me rezultatin 2:0.
Prishtina zë pozitën e katërt me 30 pikë, plot 18 më pak se lideri i Superligës.
Në dy ndeshjet e para të këtij edicioni, Ballkani e ka një fitore, ndërsa një duel është mbyllur baras.
Ballafaqimi i së dielës do t’i paraprijë atij të Kupës së Kosovës.
Prishtina e Ballkani do të luajnë edhe në kuadër të çerekfinales së Kupës më 15 mars.