Sport

Ballkani në Bullgari për të prekur nivel të ri

Për herë të shtatë kampioni i Kosovës në futboll paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, garës elitare evropiane për klubet e futbollit.

Trepça ’89, Drita, Feronikeli, sërish Drita, Prishtina dhe Ballkani kanë prezantuar Kosovën deri më tani në Champions. Ballkani i Suharekës po paraqitet për herë të dytë, njëjtë si Drita e Gjilanit.

Në kualifikimet e Championsit janë shënuar fitore, janë kaluar kundërshtarë, por asnjëherë nuk është kaluar raundi i parë kualifikues. Këtë sukses, që rrjedhimisht do të ishte historik, po e synon Ballkani.

Në ndeshjen e parë ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit, Ballkani fitoi 2:0. Ndeshja u luajt javën e kaluar në Prishtinë. Ndeshja e kthimit e raundit të parë kualifikues zhvillohet të mërkurën prej orës 20:00 në Razgrad të Bullgarisë. Me fitore, barazim dhe humbje me një gol dallim, Ballkani avancon në raundin e dytë kualifikues. Raundi i dytë kualifikues është ende “territor i pashkelur” për skuadrat kosovare.

Pas pranimit në UEFA dhe FIFA, në pranverën e vitit 2016, kampioni i Kosovës për edicionin 2015/16, Feronikeli është dashur të paraqitet në Champions në edicionin 2016/17. Kjo nuk ndodhi pasi Feronikeli, klub tashmë i shuar, nuk plotësoi kërkesat minimale për licencim.

Kështu skuadra e parë kosovare që luajti në Champions ishte Trepça ’89.

Në edicionin 2017/18 nuk kishte raund parakualifikues në Champions. 89-shi nisi prej raundit të parë kualifikues. Përballë e kishte skuadrën nga Ishujt Faroe, Vikingur Gota. Në Torshavn të Ishujve Faroe, skuadra mitrovicase pësoi 2:1. Rezultati jepte shpresë për ndeshjen e kthimit që u zhvillua në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë më 4 korrik 2017. Por Trepça ’89 dëshpëroi plotësisht duke pësuar 4:1. Dhe rrugëtimi i saj në Champions doli të jetë i shkurtër.

Për edicionin 2018/19, UEFA e përfshiu raundin preliminar. Për Kosovën ishte vendim shumë i mirë. Në raundin preliminar paraqiteshin katër ekipet kampione nga federatat e ranguara më së ulëti. Dhe ishte mundësi për të shënuar disa fitore. Drita e Gjilanit në Gjibraltar e mposhti në gjysmëfinale Santa Coloman e Andorrës e më pas në finale të raundit preliminar e mposhti Lincolnin e Gjibraltarit. Të dy fitoret i arriti në kohën shtesë. Kështu kaloi në raundin e parë kualifikues ku u ndal nga Malmo e Suedisë me rezultatin 5:0 nga dy ndeshje.

Në edicionin 2019/2020, Feronikeli e kaloi me sukses raundin preliminar. Në Prishtinë mposhti Lincolnin e më pas Santa Coloman. Kishte fat edhe në shortin për raundin e parë kualifikues, që megjithatë nuk e kaloi. Përballë kishte skuadrën nga Uellsi, TNS, prej të cilës pësoi 3:2 pas dy ndeshjeve.

Në edicionin 2020/2021, sërish Drita luajti në Champions. Ishin rrethana të reja, koha e pandemisë. Turneu i raundit preliminar u organizua në Nyon të Zvicrës. Në gjysmëfinale Drita e kaloi Inter d’Escalades të Andorrës. Në finale të raundit preliminar humbi me rezultat zyrtar nga Linfieldi për shkak të rasteve me koronavirus në skuadrën gjilanase. Rregulloret atëbotë ishin të tilla.

Në edicionin 2021/2022, Prishtina kaloi raundin preliminar, por u ndal në raundin e parë kualifikues. Pësoi 6:1 pas dy ndeshjeve nga skuadra e madhe hungareze, Ferencvarosh.

Për shkak të përmirësimit të rezultateve, kampioni kosovar nuk ishte më pjesë e raundit preliminar prej edicionit 2022/2023. Kështu Ballkani vjet startoi prej raundit të parë kualifikues. Edhe fati nuk është se i mungoi në short. Përballë e kishte Zhalgirisin e Lituanisë. Në Prishtinë, ndeshja përfundoi 1:1. Në Vilnius, Zhalgirisi fitoi 1:0 në kohën shtesë dhe avancoi. Ballkani u bart në Ligën e Konferencës ku arriti sukses historik. Por raundin e parë kualifikues të Championsit nuk e kaloi.

“Vjet shumica e lojtarëve kanë luajtur për herë të parë në Champions dhe ishte përgjegjësi shumë e madhe. Me Zhalgirisin na ka munguar vetëm fati. Kemi pasur raste më shumë se në ndeshjet kampionale. Por ky është futbolli”, ka thënë trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.

Edhe këtë edicion Ballkani startoi prej raundit të parë kualifikues. Ludogoretsi është skuadër e nivelit dukshëm më të lartë se Zhalgirisi. Por Ballkani dominoi plotësisht në ndeshjen e parë për të fituar 2:0 në fund. Shpresat janë të mëdha se të mërkurën mbrëma në Razgrad do të preket niveli i ri sa i takon prezantimit të futbollit kosovar në Champions.