Fitorja ndaj Malishevës vetëm e ka konfirmuar edhe më shumë besimin e plotë që zyrtarët e kampionit të Kosovës, Ballkanit, e kanë në trajnerin Ilir Daja. Ballkani të mërkurën e fitoi në udhëtim te Malisheva ndeshjen e mbetur të xhiros së parë me rezultatin 3:2. E vetëm pak orë pas këtij triumfi klubi nga Suhareka njoftoi se me trajnerin nga Tirana e ka vazhduar bashkëpunimin deri në vitin 2024. Daja erdhi në fillim të muajit janar të këtij viti në krye të Ballkanit si trajner i konfirmuar më parë dhe në këtë post e zëvendësoi Bekim Isufin. Ai arriti suksesin historik me Skënderbeun vite më parë duke e kualifikuar në fazën grupore të Ligës së Evropës.
Ndërsa historinë e shkroi edhe në futbollin kosovar. Daja me Ballkanin e fitoi titullin e parë të kampionit në histori të klubit, ndërsa suksesi historik i radhës ishte kualifikimi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, që është niveli i tretë i futbollit evropian në nivel klubesh. Sukseset e njëpasnjëshme të Dajës me Ballkanin ka bërë që ai të shihet si pjesë e ekipit në projektin afatgjatë. Ky projekt i ka pëlqyer edhe Dajës.
“Më ka pëlqyer projekti që ka presidenti, si dhe grupi i lojtarëve. Edhe përkrahja e sportdashësve më ka pëlqyer shumë. Pa dyshim, marrëveshja e re me skuadrën është arritur falë suksesit historik që kemi bërë”, ka thënë Daja për KOHËN të mërkurën.
Suksesi i arritur në skenën evropiane kanë bërë që udhëheqësit e klubit suharekas të mendojnë për një projekt afatgjatë. Te Ballkani tashmë po mendojnë për përmirësimin e infrastrukturës, ruajtjen e grupit, si dhe afrimin e lojtarëve cilësorë për paraqitje edhe më të fortë në gara vitin tjetër.
“Pika e parë është që presidenti mbajti pothuajse të gjithë lojtarët titullarë, të cilët e fituan titullin. Dhe, mbi bazën e këtij grupi fitues mund të ndërtohet edhe një projekt afatgjatë. Pastaj është folur për përmirësimin e infrastrukturës, fusha e re dhe palestra në stadium. Është folur edhe për disa politika të reja që ka klubi, afatshkurtra dhe afatmesme, për afrimin e elementeve cilësore dhe promovimin e lojtarëve të rinj”, ka përfunduar Daja.
Trajneri tiranas vazhdimisht ka theksuar se suksesi në Evropë është falë titullit të kampionit që e fitoi me Ballkanin sezonin e shkuar në Kosovë. Dhe, Ballkani është në rrugë të mirë për ta përsëritur suksesin e edicionit të kaluar edhe në sezonin aktual të elitës së futbollit kosovar. Por, Daja dhe lojtarët e skuadrës e dinë mirë se përsëritja e atij suksesi do të jetë e vështirë, pavarësisht se Ballkani është në rrugë të mbarë në start të kampionatit. Ballkani është i dyti në tabelë, ani pse ka zhvilluar vetëm gjashtë ndeshje. Suharekasit kanë grumbulluar 15 pikë, duke regjistruar pesë fitore karshi një disfate.
Skuadra e vetme pa humbje në Superligë është Drita që pozicionohet e para, por ka vetëm tri pikë më shumë se Ballkani dhe dy ndeshje më shumë të luajtura. Ballkani paraqitje të mira ka pasur edhe në skenën evropiane, pavarësisht se ka marrë vetëm një pikë në dy ndeshje të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës. Barazimi ndaj Clujit në ndeshjen e parë u vlerësua pozitiv, ashtu si humbja në Çeki nga Slavia e Pragës 3:2. Ballkani në Grupin G është në pozitën e tretë me një pikë, aq sa ka edhe Cluji që renditet i katërti. Grupit i prin Slavia e Pragës me katër pikë, sa i ka edhe Sivasspori i Turqisë në vendin e dytë. Ndeshjen e radhës në Ligën e Konferencës e luan në udhëtim te Sivasspori në Turqi më 6 tetor, në orën 18:45.