Sport

Ballkani luan ndaj skuadrës që ia shkaktoi humbjen e fundit në Superligë

Ballkani është i vetmi ekip në elitën e futbollit të Kosovës që nuk ka pësuar humbje në edicionin aktual. E ka sulmin më të mirë në ligë me 29 gola të realizuar, si dhe mbrojtjen më të mirë bashkë me Dritën, me nga nëntë gola të pësuar.

Ballkani prin në tabelë me 38 pikë nga 14 ndeshje. Ka dhjetë pikë më shumë se kundërshtari i fundjavës, Llapi. Skuadra llapjane ka dy ndeshje më shumë të luajtura dhe zë vendin e tretë.

Të shtunën nga ora 13:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Ballkani do të ketë ndeshje të vështirë. Ky ballafaqim i takon xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës.

Humbjen e fundit në kampionat, Ballkani, i drejtuar nga trajneri Ilir Daja, e ka pësuar më 12 mars. Për rastësi, është mposhtur pikërisht në Podujevë.

Ballkani prej atëherë është në seri prej 25 ndeshje pa disfatë në Superligë.

Sulmuesi i krahut, Walid Hamidi, e di se Ballkani duhet ta fitojë këtë ndeshje. Por e ka të qartë se ndeshja ndaj Llapit është prej më të vështirave.

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Unë shpresoj që të vazhdojmë në këtë formë që jemi. Llapi ka skuadër të mirë. Për ne do të jetë e rëndësishme të marrim edhe tri pikë të tjera. Kemi edhe dy ndeshje më pak të luajtura”, ka thënë Hamidi të premten për KOHËN.

Hamidi ishte prej më të mirëve në ndeshjen e parë të edicionit kundër Llapit.

Në fund të shtatorit, Ballkani në Suharekë kishte mposhtur Llapin me rezultatin 2:1.

Menjëherë pas asaj fitoreje, Hamidi kishte shënuar gol edhe në fitoren historike në Ligën e Konferencës kundër Dinamos së Zagrebit, 2:0. Ndeshjen tjetër me Dinamon, Ballkani e luan të enjten e ardhshme.

“Ndeshja me Dinamon e Zagrebit është shansi i fundit për ta kaluar grupin. Ne mund ta arrijmë një sukses të tillë. Në futboll, asgjë nuk është e pamundur”, ka thënë Hamidi.

Algjeriani 27-vjeçar ka luajtur në 16 ndeshje të këtij edicioni, ndërsa ka kontribuuar me dy gola e një asistim.

Hamidi shpreson që të japë kontribut edhe në ndeshjen e fundit të fazës grupore të Ligës së Konferencës.

Ballkanit i duhet fitorja në Zagreb për të shpresuar në kualifikim tutje, por favor duhet t’i bëjë edhe Viktoria Plzeni - ta ndalë Astanan e Kazakistanit.

Viktoria Plzen e ka fituar Grupin C me 15 pikë. Dinamo ka gjashtë pikë në vendin e dytë, ndërsa Astana dhe Ballkani kanë nga katër pikë në vendin e tretë e të katërt.

Të shtunën në elitën e futbollit kosovar në program janë edhe dy ndeshje të tjera.

Malisheva e pret Lirinë në stadiumin “Liman Gegaj”, kurse Prishtina në “Sami Kelmendi” në Lipjan, luan kundër Fushë Kosovës.

Derbi Gjilani – Drita do të zhvillohet të dielën në terrenin me bar sintetik në Gjilan, ndërsa Feronikeli 74 e pret Dukagjinin. Në Gjilan të pranishëm në tribunën qendrore do të jenë tifozët vendës, ndërsa numri i tifozëve të Gjilanit do të jetë i limituar.

Superliga – XVII

E shtunë (13:00)

Llapi – Ballkani

Malisheva – Liria

Prishtina – Fushë Kosova

E diel (13:00)

Gjilani – Drita

Feronikeli 74 – Dukagjini


1. Ballkani 14 12 2 0 29:9 38

2. Drita 15 8 4 3 21:9 28

3. Llapi 16 8 4 4 22:13 28

4. Malisheva 16 7 2 7 24:21 23

5. Prishtina 16 4 10 2 19:17 22

6. Dukagjini 16 4 9 3 19:19 21

7. Gjilani 15 5 2 8 13:16 17

8. Feronikeli 74 16 4 3 9 16:28 15

9. Fushë Kosova 16 2 4 10 12:27 10

10. Liria 16 1 6 9 13:29 9