Sport

Ballkani luan derbi para ndeshjes së veçantë me Dinamo Zagrebin

Llapi të mërkurën mori pikët e plota në stadiumin e qytetit në Suharekë, duke fituar ndaj Malishevës me rikthim të rezultatit, 3:2. Tri ditë më vonë, Llapi synon tjetër rezultat pozitiv në Suharekë, për të mbetur në krye të tabelës. Por kundërshtari i Llapit në ndeshjen e së shtunës nga ora 15:00 do të jetë dukshëm më cilësor. Kampioni i dy edicioneve të fundit, Ballkani, do të jetë nikoqir i ndeshjes së dy skuadrave kosovare më në formë aktualisht.

Ndeshja Ballkani – Llapi i takon xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Llapi e Ballkani mbajnë dy pozitat e para në tabelë me nga 16 pikë. Suharekasit kanë një ndeshje më pak të luajtur. Të dy skuadrat po shquhen edhe me gola të realizuar.

Ballkani ka shënuar 11 gola, ndërsa tre prej tyre i ka realizuar sulmuesi Albin Berisha.

Berisha është lavdëruar për paraqitjet edhe nga trajneri Ilir Daja.

Berisha për KOHËN ka thënë se ndihet mirë kur shënon gola, sidomos në një skuadër siç është Ballkani, ku konkurrenca është shumë e madhe.

Ndeshjen kundër Llapit e ka vlerësuar shumë të rëndësishme për vazhdimin e ecurisë.

“Të shtunën ndeshja me Llapin është e rëndësishme, por për ne është ndeshje e radhës. Do të jetë ndeshje e bukur, me rivalitet, sepse takohen dy ekipe me pikë të barabarta”, ka thënë Berisha, që vendin e titullarit e ka zënë pas largimit të Albion Rrahmanit për te Rapidi i Bukureshtit.

“Për mua është e rëndësishme ta ndihmoj ekipin me gola dhe ta jap maksimumin në çdo ndeshje. Për golashënuesin më të mirë të ligës flitet në fund të kampionatit, sepse tani është vetëm fillimi”, është shprehur 22-vjeçari Berisha.

Në kualitetet e sulmuesit Muhamet Hyseni mbështetet trajneri i Llapit, Tahir Batatina. Hyseni ka gjashtë gola të shënuar në fillim të kampionatit. 22-vjeçari aktualisht është golashënuesi më i mirë në ligë. Batatina pret që Hyseni të vazhdojë me formë të lartë.

“Hyseni ka cilësi të mëdha si lojtar dhe po kalon formë të mirë. E ka mbështetjen time maksimale dhe të skuadrës. Uroj që ai do të vazhdojë me formën e njëjtë”, ka thënë Batatina për KOHËN.

Ai ka shtuar se ndeshja në Suharekë do të jetë e vështirë, por pret futboll të mirë. Të mërkurën Malisheva ishte vendase dhe vendosi të luajë në Suharekë.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, sepse luajmë kundër kampionit në fuqi. Por është ndeshje derbi. Ndeshjet e mëdha vendosen nga detajet e vogla. Do të luajnë dy skuadra me kualitet të lartë dhe do të jetë ndeshje e mirë”, është shprehur Batatina.

Llapi është në seri prej tri fitoreve, derisa ka pesë fitore e një barazim në gjashtë ndeshjet e fundit. Duelin e parë të kampionatit e humbi nga Drita.

Suharekasit ende nuk kanë pësuar disfatë në këtë edicion. Kanë pesë fitore e një barazim.

Pavarësisht rëndësisë së madhe që ka ndeshja, Ballkani mund të jetë pak më i rezervuar për derbin e së shtunës. Të enjten Ballkanin e pret ndeshja e fortë me skuadrën e madhe kroate, Dinamo Zagreb. Ballafaqimi do t’i takojë Grupit C të Ligës së Konferencës dhe luhet nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ballkani për herë të dytë rresht po paraqitet në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Të shtunën është edhe dueli mes Lirisë dhe Malishevës. Liria ka dy disfata të njëpasnjëshme, ndërsa Malisheva është mposhtur në tri ndeshjet e fundit.

Dy ndeshje tjera të xhiros së tetë janë të dielën.

Derbi lokal mes Dritës e Gjilanit është vendosur të zhvillohet në Lipjan. Në stadium do të jenë vetëm tifozët e Dritës.

Ndeshja Fushë Kosova – Prishtina luhet të hënën, po ashtu në Lipjan.

Superliga – VIII

E shtunë(15:00)

Ballkani – Llapi

Liria – Malisheva

E diel(15:00)

Drita – Gjilani

Dukagjini – Feronikeli 74

E hënë (15:00)

Fushë Kosova – Prishtina


1. Llapi 7 5 1 1 13:6 16

2. Ballkani 6 5 1 0 11:4 16

3. Drita 6 3 3 0 10:3 12

4. Prishtina 7 2 4 1 9:8 10

5. Malisheva 7 3 0 4 16:12 9

6. Gjilani 6 2 1 3 4:5 7

7. Dukagjini 7 1 4 2 6:9 7

8. Liria 7 1 3 3 6:9 6

9. Feronikeli 74 7 2 0 5 8:17 6

10. Fushë Kosova 6 0 1 5 4:14 1