Sport

Ballkani lëshoi “mundësi të artë” në Champions, i kthehet Ligës së Konferencës

Debutimi i Ballkanit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve nuk ishte i suksesshëm, ndonëse pritjet e suharekasve ishin të mëdha. Kampioni i Kosovës, Ballkani, të martën mbrëma u eliminua në raundin e parë kualifikues të Championsit nga kampioni i Lituanisë, Zhalgirisi.

Zhalgirisi nuk ishte prej kundërshtarëve më të fortë të mundshëm, por doli të jetë ekip i pakalueshëm për Ballkanin. Ndeshja e parë në Prishtinë kishte përfunduar 1:1, ndërsa në Vilnius vendasit fituan 1:0. Ndeshja u vendos pas vazhdimeve.

Në të vërtetë Zhalgirisi ka dominuar plotësisht në ndeshjen e dytë. Ka krijuar shumë raste shënimi, 22 gjithsej, ndërsa ka realizuar vetëm në vazhdime. Merita që ndeshja nuk u vendos më herët dhe që humbja e Ballkanit nuk ishte më e thellë, ka portieri Stivi Frashëri.

“Është për të ardhur keq që na iku një shans i artë. Besoj se përvoja më e madhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve e bëri diferencën e madhe. Që në ndeshjen e parë gabuam sepse nuk shfrytëzuam atë që duhej të shfrytëzonim në maksimum. Përtej kësaj besoj që bëmë një paraqitje dinjitoze. Sidomos në ndeshjen e parë kemi bërë një lojë fantastike. Por është për të ardhur keq pasi shpërdoruam aq shumë mundësi”, ka thënë Frashëri të mërkurën për KOHËN.

Ballkani ka debutuar në skenën evropiane, përkatësisht në kualifikimet e Championsit. Mungesa e përvojës është ndier që në hedhje të shortit. Ka bërë bujë videoja ku shihen lojtarë të Ballkanit duke festuar pasi shorti përcakton që të luajnë me kampionin e Lituanisë. Lituania është e njohur për basketboll, por edhe kampioni në futboll nuk është për ta nënçmuar.

“Qëllimi ka qenë gjithmonë që ne të japim maksimumin dhe të bëjmë sa më pak gabime. Por ndonjëherë është çështje fati, çështje emocionesh, përvoje”, ka shtuar Frashëri.

Disa herë në ndeshjen e kthimit rrezikoi Ermal Krasniqi. Por ndaj tij ka pasur edhe kritika, përmes komenteve në rrjete sociale, për lojë të tepruar individuale.

Krasniqi, njëri prej lojtarëve kryesorë të Ballkanit, ka pranuar përgjegjësinë të enjten.

“Zhgënjimi nga mossuksesi në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve është shumë i madh si te unë ashtu edhe tek ekipi në tërësi. Te unë në veçanti, duke i ditur pritjet tuaja që i keni pasur nga ekipi e nga unë. Ndjej përgjegjësi të konsiderueshme për këtë eliminim, duke marrë për bazë rastet që më janë shfaqur gjatë ndeshjes e që për fat të keq nuk arrita t’i konkretizoj, pavarësisht se ashkush nuk do të donte më shumë se unë”, ka shkruar Krasniqi të mërkurën.

Përvoja evropiane nuk mbaron me dy ndeshje për Ballkanin. Tani kampioni kosovar luan në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, niveli i tretë evropian. Do të përballet me La Fioritan e San Marinos.

Ndeshja e parë është në San Marino, menjëherë më 21 korrik, ndërsa e kthimit në 28 korrik në Prishtinë.

“Në këto ndeshje asgjë nuk është e lehtë, sepse bëhet fjalë për eliminim direkt dhe çdo gjë duhet të merret shumë seriozisht”, thotë Frashëri, që bën thirrje për maturi, ndonëse La Fiorita tingëllon rival inferior.

“Vetëm një gabim i vogëm kushton shumë. La Fiorita është ekip kampion në San Marino dhe si i tillë duhet vlerësuar shumë”, ka vazhduar portieri i Ballkanit.

Përvoja me Zhalgirisin natyrisht shërben shumë. Një pjesë e mirë e lojtarëve të Ballkanit kanë luajtur për herë të parë ndeshje evropiane.

“Shpresoj që ato gabime që i kemi bërë do t’i analizojmë dhe do të punojmë sa më shumë për të mos i përsëritur më. Unë besoj shumë te potenciali që kemi si ekip, si grup dhe si individë. Kam besim që do të paraqitemi mirë edhe pse kishim mundësi për rezultat dukshëm më të mirë”, ka theksuar Frashëri.