Skuadrës së Ballkanit i ka mjaftuar një pikë në xhiron e dhjetë për ta rikthyer pozitën e parë në Superligën e Kosovës, që deri para kësaj xhiroje e ka mbajtur Drenica. Ballkani të mërkurën, ka luajtur pa gola në udhëtim te Dukagjini, barazim që e ka bërë lider në tabelë, pasi Drenica pësoi humbje si mysafire e Gjilanit (2:1), në të njëjtën ditë. Tani, Ballkani ka 18 pikë, një më shumë se Drenica e Gjilani që janë në pozitat dy dhe tre. Trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi ka thënë se është i kënaqur që ekipi i tij nuk ka pësuar ende humbje këtë edicion, por ka pranuar se është dashur ta mposhtin Dukagjinin. Për Ballkanin, ky ishte barazimi i gjashtë karshi katër fitoreve këtë edicion ndërsa i katërti në pesë duelet e fundit.
“Është dashur më shumë dëshirë dhe të ishim më cinik para portës së Dukagjinit për të shënuar. Ndoshta, jemi komodë me faktin që nuk humbëm, por duhet të japim më shumë nga vetja. Jam i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në këtë takim, por kemi mundur të japim pak më shumë. Na ka munguar finalizimi, ndonëse këtë ndeshje është dashur ta fitojmë”, ka thënë Isufi që ka shtuar se Ballkani është dashur të ketë më shumë fitore, por ka lëshuar shumë pikë duke bërë hapa fals.
Edhe trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka mbetur i kënaqur me barazimin ndaj Ballkanit, por i zhgënjyer me kartonin e kuq të Ahmed Januzit, i cili u përjashtua në minutën e 83-të.
“Nuk jam aspak i kënaqur me kartonin e kuq. Kjo është e tepërt. Maksimumi i ndërhyrjes së tij ishte për kartoni i verdhë. Sidoqoftë, ata po e shohin ndryshe, ne ndryshe. Por, direkt karton i kuq është e tepërt. Nuk jemi të kënaqur me numrin e pikëve deri tani dhe synojmë që të marrim sa më shumë pikë”, tha ai.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër në Gjilan, skuadra e Drenicës pësoi me rezultatin minimal 2:1. Gerhard Progni me dy gola të shënuar në këtë takim, ia ka siguruar fitoren Gjilanit që vinte pas një serie prej dy barazimeve rresht. Ai fillimisht e kaloi Gjilanin në epërsi në minutën e 65-të, ndërsa në të 79-tën shënoi nga penalltia për ta dyfishuar avantazhin. Golin e vetëm për Drenicën, e realizoi Baton Zabërgja në minutën e 83-të.
“E kam një dedikim për Ismet Munishin që me të vërtetë ka qenë dirigjent i mirë dhe asistent i mirë i gjyqtarit. E përgëzoj dhe i jap komplimente për mënyrën se si e orkestroi gjyqtarin kryesor. Lojtarët e Gjilanit i kanë meritat e veta për fitore. Ishte një lojë e barabartë, një penallti e dyshimtë. Morëm dy gola që nuk është dashur t’i marrim nga ato situata. Pavarësisht rezultatit, mënyra se si luajtëm ishte e mirë”, ka thënë trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku.
Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi është ndarë i kënaqur me fitoren e ekipit të tij ndaj Drenicës.
“Më gëzon shumë kjo fitore, pasi ishte një duel i vështirë. Drenica me meritë ishte në krye të tabelës, pasi po luan shumë mirë. Ne kemi luajtur shumë mirë dhe jam i kënaqur me atë që treguam. Edhe në këtë ndeshje kemi sulmuar prej minutës së parë, por nuk ishte aspak lehtë sepse duhej të tregoheshim të kujdesshëm ndaj shpejtësisë së Drenicës dhe kundërsulmeve të saj”, tha Munishi, i cili e pranoi epitetin e dirigjentit që ia dha homologu i tij nga Drenica, Tahir Lushtaku.
Superliga – X
Dukagjini – Ballkani 0:0
Gjilani – Drenica 2:1
(Shënues: Progni 65’, 79’ pen. – Zabërgja 83’)
Feronikeli – Drita 0:2
(Shënues: Simonovski 51’, Ajzeraj 75’)
Prishtina – Malisheva 2:1
(Shënues: Krasniqi 23’ pen., 45’ pen. – SoboWale 85’)
Ulpiana – Llapi 0:6
(Shënues: Veliu 8’, 21’, 46’, Ramadani 31’, Selmani 59’, Gentrit Begolli 85’)
1. Ballkani 10 4 6 0 12:7 18
2. Drenica 10 5 2 3 15:11 17
3. Gjilani 10 4 5 1 13:9 17
4. Drita 10 4 4 2 9:6 16
5. Prishtina 10 3 4 3 13:10 13
6. Malisheva 10 3 3 4 10:9 12
7. Llapi 10 3 3 4 12:12 12
8. Feronikeli 10 3 1 6 5:14 10
9. Dukagjini 10 2 4 4 8:9 10
10. Ulpiana 10 1 4 5 9:19 7