Sport

Ballkani i vetmi pa humbje pas fazës së parë, synon titullin e kampionit

Me ndeshjet e zhvilluara të premten dhe të shtunën, ka përfunduar faza e parë e edicionit 2021/2022 të Superligës së Kosovës në futboll.

Në total janë katër faza të kampionatit, ku edhe përcaktohet ekipi kampion, skuadrat që do të luajnë në Evropë, dy ekipe që do të bien nga liga, si dhe skuadra që do të shkojë në barazh.

Drenica nga Skenderaj dhe Ballkani i Suharekës janë skuadrat që kanë nga 17 pikë pas nëntë xhirove të zhvilluara.

Por Ballkani, që po drejtohet nga trajneri Bekim Isufi, veçohet si ekipi që nuk e ka pësuar asnjë humbje deri tani. Në fakt, është i vetmi pa disfatë këtë edicion. Ka shënuar katër fitore dhe ka barazuar pesë herë. Së bashku me Gjilanin, kanë nga pesë barazime, më shumë se secili ekip tjetër.

Trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi, meritat për ecurinë pozitive, pa humbje, në fazën e parë, ua lë lojtarëve. Por ai mendon se kanë mundur të kenë edhe dy pikë më shumë.

“Kjo është meritë e lojtarëve të cilët në çdo lojë japin maksimumin. Do të mundohemi të vazhdojmë me këtë ritëm. Kemi mundur më shumë, por prapë duhet pranuar se edhe ekipet e tjera ndoshta na kanë pamundësuar. Ndoshta ishte dashur të kemi plus dy pikë” , u shpreh Isufi.

Isufi shtoi se Ballkanin po e veçon kolektivi. Ai beson se ekipi që drejton ka forcë që ta fitojë titullin.

“Ballkanin po e veçon një grup i fortë, homogjen, ku secili lojtar mundohet të japë maksimumin si në stërvitje, ashtu edhe në lojë. Në finalizim të jemi më të qetë dhe të mos shpërdorim raste, për shkak se ndoshta jemi ekipi i vetëm që japim volum gjatë lojës dhe në ndeshje krijojmë shumë raste. Kam thënë që do të jetë kampionat i ekuilibruar. Ne jemi mirë në këtë fazë. I njohim kundërshtarët dhe do t’i marrim ndeshjet një nga një, për shkak se është vetëm 1/4 e kampionatit. Ballkani ka forcë dhe do të jap maksimumin në çdo ndeshje”, deklaroi Isufi.

Nga pesë ndeshje të luajtura në stadiumin e qytetit në Suharekë, Ballkani ka shënuar tri fitore dhe dy barazime. Me 11 pikë, është ekipi me bilancin më të mirë si vendës. Ndërkaq, si mysafir, ka vetëm gjashtë pikë, pas një fitoreje dhe tri barazimeve. Është skuadra e gjashtë me rezultatet më të mira në udhëtim.

“Mendoj se për ne është një fushë, si në Suharekë ashtu në të gjitha fushat në Kosovë. Por mos të harrojmë se kemi pasur kundërshtarë të fortë si mysafirë”, u shpreh Bekim Isufi.

Mesfushori defansiv i Ballkanit, Kushtrim Gashi, këtë edicion po e cilëson si ndër më të vështirët pas luftës. Sipas tij, cilësia dhe përvoja po e veçojnë Ballkanin këtë sezon.

“Së pari duhet ta përmendi se me të vërtetë është një kampionat shumë i vështirë, ndoshta më i vështiri në vitet e fundit. Pas përfundimit të fazës së parë kemi pasur rezultate befasuese ndoshta edhe në çdo javë dhe kjo është bukuria e futbollit. Sa i përket Ballkanit, duke pasur parasysh cilësinë që kemi brenda grupit, të cilën e kemi pasur në dy vjetët e fundit, dhe afrimin e disa futbollistëve me përvojën e duhur, mendoj se kemi pritur këtë pozitë ku jemi, por që sigurisht kemi mundur edhe më mirë”, tha Gashi.

“Për dallim nga dy vjetët e kaluar, këtë vit mund të themi se kemi fituar edhe në përvojë dhe sigurisht që është e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit”.

Gashi mendon se tani e kanë një pasqyrë më të qartë për ekipet kundërshtare, me të cilat janë përballur nga një herë. Pohon se Ballkani ka forcë dhe lojtarë për ta ndjekur titullin e kampionit.

“Tani faza e parë ka përfunduar dhe mendoj që e kemi një pasqyrë të mirë për secilin ekip, pasi jemi ndeshur me të gjithë. E ceka që është kampionat i vështirë dhe e mira e kampionatit është se edhe ekipet që janë inkuadruar në Superligë kanë treguar lojëra të mira dhe janë për çdo respekt. Mendoj që Ballkani ka forcë që të luftojë për titull të kampionatit, por duhet të mendojmë vetëm ndeshje pas ndeshjeje, pasi që distanca në mes të ekipeve është shumë e ngushtë dhe të gjitha ato ekipe që kanë shpallur kandidaturën për titull do të luftojnë deri në fund”, theksoi mesfushori i Ballkanit.

Ai pranon se pikë e fortë e Ballkanit janë ndeshjet si vendës.

“Mendoj që si vendës çdo vit kemi treguar se jemi ekip i fortë, por këtë vit ndeshjet derbi me Prishtinën, Dritën dhe Gjilanin, i kemi pasur si mysafir dhe kanë qenë të vështira”, tha Gashi.

Ballkani ka sulmin e dytë më të mirë në ligë pas Drenicës. Ka shënuar 12 gola dhe ka pranuar shtatë. Ndërkohë Drenica ka shënuar 14 gola.

Sulmuesi Mevlan Zeka mendon se Ballkani është me meritë në vendin e dytë, me pikë të njëjta me Drenicën. Ai theksoi se Ballkani është më syçelë këtë sezon.

“Duke parë ecurinë tonë nga ndeshja në ndeshje, është pozitë reale dhe e merituar në fazën e parë. Ballkani këtë sezon është më syçelë, sepse është mëkat i madh që për dy vjet mund, sakrificë dhe djersë të derdhur në fushë nuk arritëm të shpallemi kampion, apo të paktën të marrim pjesë në Evropë”, tha Zeka.

Edhe Zeka pohon se Ballkani ka ekip për titull.

“Ballkani ka forcë të arrijë titullin, por duhet shumë punë, sidomos këtë vit po shihet që është një kampionat shumë i fortë, duke mos e veçuar asnjë skuadër që nuk është e fortë. Pra, të gjitha janë të forta dhe të papërshtatshme . Ndërsa për skuadrat të cilat kanë shpallur kandidaturën për titull, e të cilat kanë ngecur prapa, ka shumë lojë, janë edhe 27 ndeshje dhe është herët të flasim”.

Në xhiron e dhjetë, që zhvillohen në mesjavë, Ballkani do të jetë mysafir i Dukagjinit në Klinë. Ndeshja e parë që ishte luajtur në Suharekë kishte përfunduar 2:2.