Pasi e mposhti Dritën në udhëtim vikendin e shkuar, Ballkani është i vendosur të triumfojë në shtëpi edhe ndaj Llapit. Dueli mes Ballkanit dhe Llapit është derbi i xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës që nis të shtunën. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në qytetin e Suharekës. Ballkani është lider në tabelë me 45 pikë të mbledhura dhe nuk di për rezultat tjetër në stinorin pranveror përveç fitores.
Në katër ndeshje të luajtura deri më tani Ballkani ka katër fitore dhe ka mposhtur Dukagjinin (4:1), Prishtinën (2:0), Ulpianën (3:0) e Dritën (1:0). Kapiteni i Ballkanit, mesfushori Edvin Kuç, është i bindur që ekipi i tij do ta vazhdojë serinë pozitive edhe ndaj Llapit, ekip që e ka vlerësuar si kundërshtar shumë të fortë. Megjithatë, Kuç beson se Ballkani do t’i ndalë pikët e plota në shtëpi pasi në këtë përballje do ta ketë edhe përkrahjen e tifozëve vendas. Në dy duelet e stinorit vjeshtor, dy skuadrat kanë nga një fitore përballë njëra-tjetrës. Ballkani e ka mposhtur Llapin 2:0 në Suharekë, ndërsa ka pësuar 4:1 në Podujevë.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, pasi Llapi është një prej ekipeve më të forta dhe rival direkt i yni në luftën për titullin e kampionit. Edhe Llapi ka pasur një start të mirë në pranverë sikurse ne, kështu që na pret një duel i fortë”, është shprehur Kuç. “Natyrisht, ne jemi favorit në këtë derbi për shkak se luajmë në shtëpi dhe jemi të parët në tabelë. Një gjë e sigurt është se të gjithë lojtarët do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv ndaj Llapit”.
Edhe Llapi, sikurse Ballkani nuk di për humbje në pranverë. Megjithatë, ekipi i trajnerit Tahir Batatina ka një barazim karshi tri fitoreve në katër ndeshjet e stinorit pranveror. Zë vendin e katërt në tabelë me 39 pikë, gjashtë më pak se Ballkani. Te Llapi kanë paralajmëruar se do të udhëtojnë në Suharekë për ta ndalur serinë pozitive të skuadrës së trajnerit Ilir Daja. Futbollisti më i mirë i Llapit, sulmuesi i krahut, Valmir Veliu, beson se llapjanët do të dalin të pamposhtur nga stadiumi në Suharekë. Veliu është njëri prej lojtarëve më në formë të Llapi dhe golashënuesi më i mirë i ekipit, me tetë gola të realizuar në elitën e futbollit kosovar. Ai shpreson që paraqitje të mirë të ketë edhe ndaj Ballkanit, në mënyrë që ta ndihmojë ekipin e tij të arrij objektivin.
“Po, jam në formë të mirë dhe shpresoj të vazhdoj me paraqitje të mirë edhe në derbin ndaj Ballkanit që është një ndeshje shumë e rëndësishme për dy ekipet. Sigurisht, nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballen dy skuadrat me formën më të mirë në pranverë. Kështu që, ne do të japim më të mirën nga vetja që të kthehemi nga Suhareka me rezultat pozitiv. Do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh pasi është e rëndësishme si çdo ndeshje tjetër deri në fund të sezonit”, është shprehur Veliu.
Të dielën, zhvillohen edhe dy ndeshje tjera, por që startojnë në orën 13:00. Në Skenderaj, skuadra e Drenicës e pret Dritën, të cilës humbjen e parë në pranverë ia shkaktoi Ballkani xhiron e shkuar. Drita është e treta në tabelë me 41 pikë, 13 më shumë se Drenica që renditet e pesta dhe vjen pas disfatës 3:1 nga Ulpiana. Ndërkohë, Ulpiana është mysafire e Gjilanit që është i dyti në tabelë me 43 pikë të mbledhura. Të shtunën, Malisheva ka punë të lehtë në shtëpi përballë Feronikelit tashmë të dorëzuar dhe që është i fundit në tabelë me 11 pikë të grumbulluara. Në stadiumin “13 Qershori” në Klinë, Dukagjini e pret kampionen në fuqi, Prishtinën që ende nuk di për fitore në pranverë pasi ka dy barazime dhe dy humbje. Dukagjini është i parafundit në tabelë me 21 pikë, ndërsa Prishtina është e gjashta me vetëm pesë pikë më shumë.
Superliga – 23
E shtunë
Dukagjini – Prishtina (13:00)
Malisheva – Feronikeli (13:00)
E diel
Drenica – Drita (13:00)
Gjilani – Ulpiana (13:00)
Ballkani – Llapi (13:30)
1. Ballkani 22 13 6 3 32:15 45
2. Gjilani 22 11 10 1 31:18 43
3. Drita 22 12 5 5 32:14 41
4. Llapi 22 11 6 5 38:24 39
5. Drenica 22 8 4 10 26:27 28
6. Prishtina 22 6 8 8 25:23 26
7. Malisheva 22 6 5 11 21:27 23
8. Ulpiana 22 5 7 10 21:37 22
9. Dukagjini 22 4 9 9 19:27 21
10. Feronikeli 22 3 2 17 8:41 11