Ndeshjen me Prishtinën te Ballkani e konsiderojnë njërën prej tetë finaleve që i kanë deri në fund të këtij edicioni të Superligës së Kosovës në futboll, të cilin po synojnë ta mbyllin me titullin e kampionit.
“Finalen” e parë Ballkani po kërkon ta fitojë, për ta ruajtur distancën e pikëve me përcjellësit.
Ballkani - Prishtina është derbi i xhiros së 29-të dhe zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në Suharekë. Ballkani prin në klasifikim me 60 pikë të mbledhura, tetë më shumë se Drita e Gjilani që mbajnë pozitat dy dhe tre. Kampionia aktuale, Prishtina, është e gjashta me 38 pikë dhe ka seri prej katër fitoreve në pesë ndeshjet e fundit në kampionat.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka insistuar të premten se Ballkanit patjetër i duhet fitorja ndaj kampiones në fuqi. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të mund të marshohet drejt titullit të kampionit, i cili do të ishte i pari në histori të klubit nga Suhareka.
“Ndeshja me Prishtinën është finalja e parë nga tetë që na kanë mbetur deri në fund të sezonit, dhe atë kundër skuadrave më cilësore të Superligës. Na pret një ndeshje e vështirë, sepse çdo gabim që e bëjmë do të na e vështirësojë punën për vazhdimin e kampionatit. Është shumë e rëndësishme të tregohemi të kujdesshëm dhe të fitojmë, sepse me tri pikë do të ishim edhe më afër cakut që e kemi si ekip”, është shprehur Thaqi për KOHËN.
“Synojmë ta fitojmë ndeshjen për shkak se duhet ta vazhdojmë rrugën që e kemi deri në fund të kampionatit. Po ashtu, duhet edhe ta ruajmë distancën që e kemi me ndjekësit. Kështu që fitorja është e domosdoshme në këtë takim”.
Kjo është përballja e katërt e këtyre dy skuadrave këtë edicion. Tri të parat i ka fituar Ballkani, me rezultatin e përgjithshëm 5:0. Ndërkohë, Prishtina e ka një fitore ndaj Ballkanit në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pas vazhdimeve. Prishtina tashmë është eliminuar nga Kupa. Llapi e ndali në gjysmëfinale.
“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë për shkak se Ballkani po lufton për titullin e kampionit, ndërsa ne po tentojmë të sigurojmë një vend në garat e Evropës. Prishtina në çdo ndeshje shkon për fitore, kështu që edhe ndaj Ballkanit do të kërkojë pikët e plota, sepse janë të rëndësishme”, ka thënë Besnik Krasniqi, futbollisti me përvojë i Prishtinës. “Synimet janë dalja në Evropë pas një edicioni jo shumë të mirë dhe shpresoj që t’ia dalim. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”.
Të dielën është edhe një ndeshje tjetër interesante, që do të luhet nga ora 14:00. Skuadra e Llapit në stadiumin “Zahir Pajaziti” e pret Dritën. Është ky dueli i skuadrave finaliste të Kupës së Kosovës.
Sa i përket Superligës, Drita është e dyta me 52 pikë, tetë më shumë se Llapi që renditet i katërti. Në tri duelet e mëparshme të këtij edicioni, Drita ka një fitore, kurse dy ndeshje kanë përfunduar pa fitues.
Xhiroja nis të shtunën me tri ndeshje. Gjilani do të ketë punë të lehtë pasi e pret Feronikelin, ekip që tashmë mund të konsiderohet anëtar i Ligës së Parë. Në Skenderaj luhet ndeshja e dy skuadrave që luftojnë për t’i ikur zonës së plejautit: Drenica – Dukagjini. Skuadra e Malishevës është nikoqire e Ulpianës.
Superliga – 29
E shtunë
Malisheva – Ulpiana (14:00)
Drenica – Dukagjini (14:00)
Gjilani – Feronikeli (14:00)
E diel
Ballkani – Prishtina (13:30)
Llapi – Drita (14:00)
1. Ballkani 28 18 6 4 17:28 60
2. Drita 28 15 7 6 44:19 52
3. Gjilani 28 13 13 2 40:23 52
4. Llapi 28 12 8 8 46:33 44
5. Prishtina 28 10 8 10 36:30 38
6. Drenica 28 10 5 13 39:41 35
7. Malisheva 28 9 7 12 34:33 34
8. Dukagjini 28 6 12 10 24:31 30
9. Ulpiana 28 5 9 14 26:49 24
10. Feronikeli 28 3 3 22 11:69 12