Sport

Ballkani i kthehet “Evropës”, Daja pret përkrahje nga shikuesit

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është i bindur se energjinë e humbur në derbin kundër Prishtinës, futbollistët e tij do ta rikuperojnë për ndeshjen e rëndësishme ndaj Clujit në Ligën e Konferencës.

Ballkani fitoi të dielën ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri” me rezultatin 1:0. Golin e fitores së tretë në po aq ndeshje në Superligë e shënoi Albion Rrahmani.

Të enjten kampionin e Kosovës e pret një duel edhe më i vështirë. Ballkani përballet me Clujin e Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Është ndeshja e parë e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës dhe fillon në orën 18:45.

Daja thekon se motiv shtesë për Ballkanin janë tifozët nga Suhareka dhe mbarë Kosova.

“Këta djem do të dinë të rikuperojnë energjinë deri të enjten bashkë me ne dhe stafin drejtues, në mënyrë që të japim më të mirën e mundshme, sepse kemi dalë përtej qytetit tonë. Kishim përkrahje nga tifo-grupi dhe nga shumë qytetarë nga Suhareka që na mbështetën në Prishtinë. Shpresoj që edhe të enjten të kemi mbështetje, jo vetëm nga Suhareka, por edhe nga e gjithë Kosova, pasi ne përfaqësojmë edhe futbollin e Kosovës në këtë kompeticion. Me një motivim dhe me një shtytje nga ana e publikut, besoj që të kërkojmë edhe atë energjitë që harxhuam ndaj Prishtinës”, tha Daja për KOHËN.

Daja ndihet krenar që drejton një skuadër si Ballkani. Lojtarët i vlerëson shumë cilësorë dhe me karakter të fortë.

Me ekipin nga Suhareka trajneri nga Tirana shkroi histori, duke e fituar titullin e kampionit për herë të parë. Po ashtu, historike ishte edhe pjesëmarrja në garat evropiane dhe kualifikimi deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Daja të gjitha merituat ua atribuon lojtarëve.

“Jam shumë i kënaqur që drejtoi një ekip me këta djem, sepse u përqendruan te kampionati dhe pa harruar ditën e enjte nuk u dorëzuan në asnjë moment, për arsye se të enjten kanë një ndeshje po kaq të vështirë. E gjithë merita u shkon lojtarëve që unë drejtoj, sepse përveç kualiteteve që kanë, ata kanë edhe karakter të fortë sportiv”, deklaroi Daja.

Tri fitoret në Superligë me rezultatin 1:0, Daja thotë se kanë ardhur edhe si rezultat i ngarkesës së madhe që kanë pasur lojtarët në garat evropiane. Kurse triumfin e fundit ndaj Prishtinës e cilëson si fitore për futbollin e Kosovës.

“Ishte ndeshje e vështirë, sepse ishim kampionët e Kosovës kundër ekipit që ka më së shumti trofe, pra ishte një ndeshje në thonjëza derbi. Mendoj që sot nuk pati të humbur, sot fitoi futbolli”, përfundoi Daja.

Ballkani do të bëjë gara në Grupin G të Ligës së Konferencës së bashku me Sivassporin, Slavia Pragën dhe Clujin.

Pas ndeshjes ndaj Clujit, Ballkani do t’i luajë dy ndeshje si mysafir. Së pari i shkon Slavias në Pragë më 15 shtator, kurse më 6 tetor do të jetë mysafir i Sivassporit.

Skuadrën turke e pret më 13 tetor, ndërsa Slavian çeke e pret më 27 tetor. Me Clujin e mbyll fazën grupore, me ndeshjen në udhëtim më 3 nëntor.