Sport

Ballkani i gatshëm për “finalen” me Shkupin

Kampioni i Kosovës, Ballkani, është vetëm dy ndeshje larg arritjes më të madhe në historinë e futbollit kosovar – kualifikimit në fazën e grupeve të njërës prej kupave evropiane. Ballkani tashmë ka shkruar historinë, pasi është bërë ekipi i parë nga Kosova që ka arritur në fazën e plejofit të Ligës së Konferencës.

E ekipin nga Suhareka e ndajnë vetëm dy ndeshje nga kualifikimi në fazën e grupeve të kësaj gare, që vlerësohet si e treta për nga rëndësia e UEFA-s.

Ndeshjen e parë të plejofit Ballkani e luan të enjten prej orës 21:00. Përballet në udhëtim me kampionin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin.

Ky duel në këtë fazë të plejofit bën që një ekip shqiptar medoemos do të luajë në fazën e grupeve, që starton muajin tjetër. Në fakt, Ballkani dhe Shkupi janë dy skuadrat e vetme shqiptare që kanë arritur deri në fazën e plejofit këtë edicion në njërën prej kupave evropiane.

Këtë edicion në garat e UEFA-s u paraqitën në total 11 skuadra shqiptare: katër nga Kosova, katër nga Shqipëria, dy nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Mali i Zi. Te Ballkani ndeshjen me Shkupin nuk e quajnë vetëm historike, por e konsiderojnë si një finale të vërtetë, të cilën duhet patjetër ta fitojnë.

Megjithatë, pranojnë se nuk do të jetë aspak e lehtë. Kështu ka insistuar mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, të mërkurën për KOHËN.

“Lirisht mund të them se është një ndeshje finale e finalet aspak nuk janë të lehta dhe këtë e kemi parasysh. E them këtë sepse edhe Shkupi ka arritur me meritë në fazën e plejofit. Na presin 90 minuta të flaktë në Shkup dhe duhet të japim më të mirën nga vetja para ndeshjes së kthimit”, është shprehur Thaqi.

“Po ashtu, është edhe ndeshje historike sepse e kemi mundësinë të kualifikohemi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, gjë që do të na rriste vlerën si ekip. Po ashtu, do të ishte edhe arritje e madhe për futbollin kosovar, pasi do të ngrihej edhe më shumë në klasifikimin e ardhshëm të UEFA-s”.

Thaqi pranon se synimi i Ballkanit për ndeshjen e parë është një rezultat pozitiv, i cili do të ishte i favorshëm për ndeshjen e kthimit, që zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Thaqi ka shtuar se të gjithë lojtarët e Ballkanit kanë parasysh rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe insiston se angazhimi nuk do të mungojë. Ballkani të mërkurën pasdite ka arritur në Shkup, ndërsa në mbrëmje e ka mbajtur seancën stërvitore para ndeshjes.

“Normalisht që synojmë të kalojmë në fazën e grupeve. Mirëpo, duhet ta bëjmë fillimisht punën në fushë. Besoj se me angazhimin e të gjithëve është i mundur kalimi edhe i kësaj faze”, shtoi Thaqi.

Krahas Thaqit rezultat pozitiv në duelin e parë ndaj Shkupit kërkon edhe kapiteni i Ballkanit, mesfushori Edvin Kuç. Ai insiston se Ballkani e meriton kualifikimin në fazën e grupeve të kësaj gare.

“Jemi të sigurt se do të kemi një ndeshje të vështirë. Shkupi ka treguar kualitet në kualifikime. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë, por edhe ne nuk kemi arritur deri në plejof pa arsye. Ne do ta bëjmë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë Kuç.

“Natyrisht se e kemi kualitetin brenda grupit. Ballkani si klub e meriton një sukses të tillë, kualifikimin në fazën e grupeve të kësaj gare. Në këto katër vjet, pas çdo gjëje që kemi bërë në ligën e Kosovës, Zoti na e shpërbleu me suksese. Shpresoj që të gjithë do t'i bëjmë krenarë”.

Për Ballkanin kjo është hera e parë që paraqitet në arenën ndërkombëtare. Garat i nisi në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve, por u eliminua nga Zhalgirisi i Lituanisë. Pas eliminimit në Champions, Ballkani vazhdoi garat në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës.

Fillimisht eliminoi La Fioritan e San Marinos 10:0 me rezultatin e përgjithshëm në raundin e dytë kualifikues, përpara se ta eliminonte edhe Klaksvikun e Ishujve Faroe pas penalltive në rrethin e tretë kualifikues.

Edhe skuadra e Shkupit garat e UEFA-s këtë edicion i ka nisur në raundin e parë kualifikues të Championsit, të cilin e kaloi pasi eliminoi Lincolnin e Gjibraltarit. Megjithatë, u eliminua në raundin e dytë nga Dinamo e Zagrebit për të vazhduar garat në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku gjithashtu u eliminua, por nga Shamrocku i Irlandës.

Pas eliminimit nga kualifikimet e Ligës së Evropës skuadra e Shkupit për herë të parë do të paraqitet në Ligën e Konferencës dhe madje në fazën e plejofit.

Krahas Ballkanit, Kosova këtë edicion u përfaqësua edhe nga Gjilani, Llapi e Drita, skuadra që u paraqitën në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Gjilani e Llapi u eliminuan në raundin e parë, ndërsa Drita në të dytin.