Ballkani sot ka shkruar historinë duke u kualifikuar për herë të parë në finalen e Kupës së Kosovës. E aty e pret dhjetë herë finalisti i Kupës, Prishtina.
Këto dy skuadra sot kanë eliminuar Feronikelin dhe Drenicën, transmeton KOHA.
Ballkani mori një barazim në udhëtim ndaj Feronikelit, 1 me 1, megjithatë ky rezultat ishte i mjaftueshëm për t’u kualifikuar në finale, pasi në ndeshjen e parë kishin barazuar pa gola.
Mirlind Daku i kishte dhënë epërsinë Ballkanit në minutën e 27, derisa shifrat i kishte barazuar Harmon në minutën e 65.
Kurse në sfidën tjetër Prishtina e ka mposhtur Drenicën me rezultat prej 3 me 2 në udhëtim.
Abazi, Krasniqi e Bekteshi shënuan golat për Prishtinën, derisa për vendasit shënuan Muleci e Kerim.
Prishtina kualifikohet në finale me rezultat të përgjithshëm prej 6 me 2.
Ende nuk dihet data e saktë e finales së Kupës së Kosovës.