Sport

Ballkani e Llapi kërkojnë në Turqi trofeun e parë të vitit

Ballkani dhe Llapi janë në mesin e disa skuadrave të Superligës së Kosovës në futboll që fazën përgatitore po e zhvillojnë në bregdetin e Turqisë. Në këtë vend dy skuadrat do të përballen për trofeun e Superkupës së Kosovës.

Dueli mes Ballkanit dhe Llapit zhvillohet të shtunën prej orës 13:00 në kompleksin “Titanic Belek Futbol Center”, ndërsa dy skuadrat synojnë trofeun e parë të këtij viti.

Ballkani i Suharekës prej 12 janarit është në Antalia dhe deri më tani ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, të cilat i ka fituar me rezultatin 1:0, me golat e shënuar nga Meriton Korenica. Ka mposhtur Kaysarin e Kazakistanit dhe Beroen e Bullgarisë.

Ndërkohë Llapi ka luajtur vetëm një miqësore deri më tani në Antalia, kurse ka udhëtuar tri ditë më vonë se Ballkani. Ka barazuar 1:1 me ekipin nga Hungaria, Tiszakecskei.

Llapi është fitues i Kupës së Kosovës, ndërsa Ballkani kampion në fuqi.

Kjo është hera e dytë që Superkupa e Kosovës zhvillohet në Turqi. Para dy vjetësh atje patën luajtur Prishtina e Drita.

Te Ballkani kanë pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë ndaj Llapit, por kanë shtuar se synimi është ta fitojnë Superkupën për herë të parë në histori të klubit. Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka thënë të premten për KOHËN se janë përgatitur mirë për ndeshje, që ai e ka quajtur të rëndësishme.

“Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi çdo gabim që e bëjmë nuk mund ta përmirësojmë sikurse në ndeshjet e tjera. Kjo është një ndeshje finale dhe duhet të luajmë pa gabime. Përballë kemi Llapin, një prej skuadrave më të mira në vendin tonë tashmë e disa sezone”, është shprehur Thaqi. “Jemi të vetëdijshëm për kundërshtarin dhe jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Normalisht që synojmë fitoren për shkak se luhet për trofe. Ne dëshirojmë ta fitojmë Superkupën e Kosovës, por e kemi parasysh se duhet shumë angazhim për të festuar në fund”.

Te Ballkani gjatë këtij muaji ka pasur disa largime, ndërsa më i rëndësishmi mbetet ai i sulmuesit të krahut, Ermal Krasniqit. Krasniqi, i cili ishte ndër lojtarët kryesorë, u transferua në Rumani te skuadra e Clujit. Ballkani ka reaguar duke sjellë Lorenc Trashin, i cili ka 15 ndeshje me fanellën e Shqipërisë. Ndërkohë, Llapi tashmë ka ofruar disa lojtarë, pasi largoi të tjerë. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe se futbollistët janë të motivuar për ta fituar për herën e dytë Superkupën.

“Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë dhe e fortë, ku dy ekipet do të tregojnë vlerat dhe cilësitë në fushë. Ne si fitues të Kupës përballemi me Ballkanin që është kampion i Kosovës, që do të thotë se nuk do të jetë aspak përballje e lehtë. Kemi bërë një grup të mirë të lojtarëve shumë cilësorë, ku është dashur kohë për t’i komponuar dhe mendoj se tashmë kemi marrë formën e duhur si ekip, gjë që do ta dëshmojmë kundër Ballkanit”, është shprehur Batatina. “Do ta tregojmë fytyrën e vërtetë te Llapit, i cili do të futet fuqishëm në stinorin pranveror. Atmosfera është shumë e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për sukses. Kështu që sigurisht që synojmë ta nisim vitin me trofe”.

Sa i përket stinorit vjeshtor të Superligës, në Podujevë, Ballkani pati triumfuar 3:0 ndaj Llapit, përpara se të pësojë në Suharekë me shifrat 4:1. Ballkani është i dyti në tabelë me 38 pikë, sa i ka edhe Drita që është lidere. Kurse Llapi zë vendin e gjashtë me 20 pikë të mbledhura pas 18 xhirove të zhvilluara në vjeshtë.