Para pak çastesh skuadra e Ballkanit ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Klubi ka njoftuar të premten se çdo gjë ishte në rregull gjatë fluturimit të sotëm prej Pragës.
Në fakt, Ballkani është kthyer me një ditë vonesë nga Çekia, ku të enjten mbrëma e zhvilloi ndeshjen kundër Slavias, të cilën e humbi me rezultatin 3:2 në kuadër të Grupit G të Ligës së Konferencës.
"Pas një ndodhie mbrëmë kur u nisëm për Kosovë, ende pa e kaluar shtetin e Çekisë, dritarja e aeroplanit kishte filluar të plasaritej. Kjo ngjarje mund të përfundonte me fatalitet, por fal Zotit sot mbërrijtëm shëndosh e mirë në Prishtinë", ka njoftuar klubi suharekas.
Pas përfundimit të ndeshjes, Ballkani ishte nisur për në Prishtinë, por është detyruar të kthehet në Pragë për shkak se pas rreth 30 minutave të fluturimit, aeroplani kishte pësuar një dëmtim.