I mërzitur për një humbje që ishte ndoshta e pamerituar është edhe sulmuesi Bekim Balaj.
Pas humbjes nga Islanda, 1-0, Balaj tha se gjithashtu sulmuesit nuk u furnizuan sa duhet nga krahët.
“Duhej të çonim topin në rrjetë, por nuk e bëmë. Më vjen keq për këtë humbje. Do na bënin shumë punë pikët në këtë moment”, u shpreh Balaj për Supersport.
Ai ka shtuar se nuk kishte mjaftuar topa për të pasur raste shënimi të mira.
“Nëse unë duhet të godas me kokë, duhet të shohim edhe ku ishte krosimi, që unë të godas me kokë. Duhet të bëjmë maksimumin me atë që jep Shqipëria. Ne nuk dominojmë, që sulmuesi të godasë 5 herë në portë, e dimë këtë gjë. Edhe me Islandën, duke parë fuqinë e tyre fizike, e përgatitëm mirë. I bëmë presing lart. Ata nuk e qarkulluan topin, dhe na rrezikuan vetëm me topa të gjatë. Humbëm, dhe në fund kjo vlen, por nëse bëjmë një analizë, ne nuk shënuam. Për këtë duhej të bënim më shumë. Pësuam një gol që na hoqi një pikë, vetëm me një rast që kundërshtarët bënë. Nëse krahasojmë nivelin e Islandës me tonin, shënuan, por ne e patëm lojën në kontroll dhe patëm më shumë raste. Gjë për t’u vlerësuar është edhe kjo”, u shpreh Balaj.
Tutje ka folur edhe për bashkëpunimin në sulm me Sokol Cikalleshin.
“Unë me Sokolin njihem prej shumë kohësh, kemi luajtur te moshat, edhe te Tirana. Është ndeshja e parë në fakt në Kombëtare. Të dy duhet të bëjmë akoma më mirë. Të shënojmë, jo vetëm të ndihmojmë ekipin në mbrojtje. Shpresoj të dalim te golat edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Balaj.