Gresa Bakraqi thotë se nuk u beson ëndrrave.
“Më shumë i besoj punës”, thotë atletja pejane. Ajo është pjesë e ekipit prej nëntë sportistësh të Kosovës që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që të premten nisin në Paris.
Atletja 28-vjeçare në Paris do të paraqitet me ftesë të universalitetit. Por thotë se paraqitja në “Paris 2024” do t’i hapë rrugë paraqitjes me normë në Lojërat Olimpike të vitit 2028.
Bakraqi ka pak ditë që është kthyer nga Franca, shtet ku deri më 11 gusht do të mbahen Lojërat Olimpike. Ajo u kthye në vend për të qenë pjesë e ceremonisë së dorëzimit të flamurit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Flamurin e pranoi Nora Gjakova.
“Plani ka qenë që të qëndroj deri para garës në përgatitje në Francë, por jam kthyer për shkak të ceremonisë së dorëzimit të flamurit nga presidentja e Kosovës”, thotë ajo.
Në Francë për përgatitje ka qenë 14 ditë.
“Efekti i malit nuk ka qenë e mundur të arrihet. Po mundohem ta kompensoj këtu, por është vështirë. Po më pengon shumë moti i ngrohtë në Kosovë”, ka deklaruar Bakraqi, e cila drejt Parisit do të niset të enjten.
Atletja më e mirë e Kosovës, në garat e vrapimit është kthyer në vitin 2018 pas një pauze pesëvjeçare. Ajo njihet si atlete e suksesshme në vrapime të gjata, ndërsa rekorde shtetërore ka vendosur edhe në vrapime në shtigje të mesme, ndër të tjera edhe në 800 metra. Vrapimi 800 metra do të jetë edhe disiplina në të cilën Bakraqi do të paraqitet në Paris.
“Në Poloni kam vendosur rekordin në 800 metra. 2:07.67 minuta është rekordi të cilin e mbaj e të cilin edhe kam synim ta thyej në Lojërat Olimpike. Unë do ta jap maksimumin për ta arritur këtë synim. Do të isha e gëzuar sikur të fitoja medaljen e artë, nëse pas përfundimit të garës do ta shikoja në ekranin gjigant se kam vendosur rekord të ri shtetëror”.
Sfida me COVID-19
Fazën finale të përgatitjeve para nisjes së Lojërave Olimpike, Gresa është duke e kryer në vendlindjen e saj.
Bazuar në matjet që ajo është duke i bërë, gjërat duken pozitive.
“Jam 2-3 sekonda më shpejt në stërvitje, por nuk dua të jap fjalë të mëdha pasi në Lojërat Olimpike do të kem edhe familjen. Do të jetë një tjetër emocion dhe tjetër përgjegjësi. Uroj të mos mposhtem nga emocionet”.
Ajo është pozitive. Por jo gjithçka ka shkuar si duhet gjatë rrugëtimit si atlete.
Gresa tregton edhe për sfidat që i ka kaluar.
“Unë kam pasur një pauzë pesëvjeçare dhe kur jam rikthyer, nuk jam kthyer nga zeroja, por nga minusi. Kam ardhur me mbipeshë, psikikisht e papërgatitur. Unë nuk kam qenë e gatshme të garoj, por jam kthyer për të arritur gradualisht te qëllimet e mia. Pritja e njerëzve ka qenë më e madhe se që unë kam qenë e përgatitur në atë kohë. Pas kthimit në vitin 2018, në vitin 2020 jam përballur dy herë me COVID-in. Më shpejt kam vrapuar si 14-vjeçare sesa në kohën kur jam përballur me virusin. Kam qenë e dëmtuar shumë keq në mushkëri. Kam pasur shpresë që një mjek do të më thotë se mund të vazhdoj me vrapim. Kam ndërruar shtatë mjekë, vetëm për të marrë një përgjigje nga ndonjëri se mund të vazhdoj me vrapim”.
Ajo nuk u dorëzua në kërkim të realizimit të synimeve që ia kishe vënë vetes.
“Unë njëherë e kam lënë atletikën dhe kam thënë se nëse edhe një herë në këtë formë e lë, do të ishte gjithë jetën për mua ankth”.
Rekordet e Gresës
Ajo dhe sportistët e tjerë të atletikës përballen me vështirësi në infrastrukturë. Shumë atletë kanë improvizuar edhe fusha për t’u stërvitur. Por për Gresën kjo nuk është vështirësia e vetme.
“Jam larguar nga Kosova për t’iu ikur njerëzve për të mos i dëgjuar duke thënë se kam rënë nga forma. Nuk e kam pranuar assesi. Kam punuar fuqishëm dhe në vitin 2022 jam kthyer, ku për 15 javë kam vendosur 15 rekorde të Kosovës”.
Bakraqi e konsideron veten fituese.
“E konsideroj veten si atlete që ka siguruar normën, pasi një atlete që ka arritur normë, nuk i ka kaluar sfidat të cilat unë i kam kaluar. Është dashur për gjithçka të kujdesem. Kam hapur rrugë të re vetë”, thotë ajo.
Në fakt, dallimi i paraqitjes me normë dhe me ftesë është shumë i madh. Kosova në Paris i ka gjashtë garues me normë e tre me ftesë.
Bakraqi pret që Kosovën në Lojërat e ardhshme Olimpike ta përfaqësojë me normë.
“Unë synoj normë olimpike dhe besoj se do të jetë dhjetëfish më e lehtë se kjo që kam arritur”, ka thënë Bakraqi.
Ajo më herët e ka përfaqësuar Kosovën edhe në Lojërat Mesdhetare dhe Lojërat Frankofone dhe tani në Lojërat Olimpike.