Sport

Bajoku e Istogu, më të mirët e Prishtinës për vitin 2022

Boksieri Shpejtim Bajoku dhe karateistja Elmedina Istogu janë shpallur sportistët më të mirë të Prishtinës për vitin 2022.

Ceremonia “Laureatët e Vitit 2022” nga Komuna e Prishtinës është mbajtur të premten mbrëma.

Në ceremoni Komuna e Prishtinës ka ndarë shumë çmime të tjera, ndërsa nuk ka harruar edhe ish-sportistët që kanë dhënë kontribut të madh në klube të Prishtinës dhe jo vetëm.

“Kam bërë punë shumë të madhe për të arritur këtu. Pas 31 vjetësh kam arritur ta fitoj vendin e tretë në Lojërat Mesdhetare. Për mua është një sukses shumë i madh dhe jam i lumtur që jam zgjedhur sportisti i vitit nga Komuna e Prishtinës”, ka thënë Bajoku.

Boksieri i klubit “Gollaku”, Bajoku, u shpall më i miri i vitit falë suksesit në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Në Lojërat Mesdhetare boksieri prishtinas kishte fituar medaljen e bronztë.

Ndërkohë karateistja 20-vjeçare, Elmedina Istogu, që mbron ngjyrat e klubit “Ippon”, ishte kampione e Kosovës në kategorinë 68 kilogramë. Viti 2022 ishte shumë i suksesshëm për Elmedinën, që u radhit në Top-10 në ranglistën botërore, derisa zuri vendin e shtatë në Kampionat Evropian.

“Jam shumë e lumtur dhe shumë e motivuar. Është një nxitje e madhe për mua si sportiste dhe shpresoj që vitit 2023 të më sjell edhe më shumë suksese. Është një motiv shumë i madh për të punuar edhe më shumë dhe për t’i arritur sukseset e radhës”, ka thënë karateistja Istogu.

Komisioni i përbërë nga shtatë anëtarë ka përzgjedhur më të mirët në 13 kategori. Janë përzgjedhur shpresat e Prishtinës në dy gjinitë. Klubi më i mirë u shpall ai i basketbollit, Sigal Prishtina, ndërsa në konkurrencën e femrave klubi më i mirë ishte “Ep-Com”, kampioni në futboll.

Trajneri më i mirë i Prishtinës u shpall Besim Brahimi i klubit të boksit “Gollaku”. Gjyqtari më i mirë u shpall Visar Kastrati i futbollit. Kastriot Orana u shpall punëtor sportiv.

Komuna e Prishtinës ka ndarë edhe shpërblime e mirënjohje të tjera. Ka nderuar edhe shumë figura të shquara të sportit të Prishtinës. Çmim special për vepër jetësore është ndarë për njërën prej pioniereve të hendbollit kosovar, Shyhrete Pavata-Rexhepi. Pavata-Rexhepi ka luajtur për ekipin e hendbollit Prishtina dhe është konsideruar shtyllë e skuadrës nga kryeqyteti. Federata e Hendbollit e Kosovës ia ka dhënë vlerësimin unik “Lojtarja e parë shqiptare dhe ikonë e hendbollit femëror”. Përveç si hendbolliste, Shyhrete Pavata-Rexhepi ka shkëlqyer edhe si atlete. Në vitin 1964, Pavata-Rexhepi e fitoi vendin e parë dhe titullin e kampiones shtetërore në shumëgarësh.

Me Çmimin Special për vepër jetësore janë nderuar edhe Besim Hasani, Afërdita Fazlija, Njazi Shuleta, Osman Breca, Ismet Karaxha, Abaz Kosumi, Mazllum Belegu, Nehat Çitaku, që kanë kontribuuar në periudha të ndryshme për sportin prishtinas dhe kosovar në përgjithësi.

Image
Shyhrete Pavata Rexhepi është nderuar me mirënjohje për vepër jetësore. Ajo çmohet si njëra prej pioniereve të hendbollit kosovar