Autobusi që po transportonte Përfaqësuesen U21 të Rumanisë për në aeroportin e Tiranës, është përfshirë në një aksident rrugor, kanë njoftuar mediumet rumune të mërkurën.
Rumania U21 u mposht të martën nga Shqipëria U21, e cila triumfoi me rikthim të madh të rezultatit 3:2 në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.
Bëhet e ditur se autobusi i rumunëve të rinj është përfshirë në një aksident në autostradë, por thuhet se asnjëri prej lojtarëve apo stafit nuk janë lënduar.
“Për fat të mirë, askush nuk është lënduar dhe të gjithë janë mirë. Sapo jemi informuar se autobusi ka pasur një aksident rrugor gjatë rrugës për në aeroport. Ata po transportoheshin nga Elbasani ku është zhvilluar ndeshja drejt Tiranës. Në këtë aksident janë përfshirë edhe disa vetura tjera, por askush prej nesh nuk është lënduar”, ka thënë drejtori teknik i Federatës së Futbollit të Rumanisë, Mihai Stoichita për “Fanatik.ro”.