Atmosfera e zjarrtë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë kur KB Vëllaznimi i luan ndeshjet e Superligës së Kosovës në basketboll, ka bërë që ekipit gjakovar t’i besohet organizimi i “Final 8” të Kupës së Kosovës. Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka bërë të ditur se Vëllaznimi do të jetë organizator i kësaj ngjarjeje. “Final 8” i Kupës së Kosovës do të mbahet muajin tjetër, saktësisht prej datës 13 deri më 17 shkurt. Ndërkohë, tri finalet – Liga e parë, Superliga femrat dhe meshkujt – do të mbahen në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, pra më datën 17 shkurt.
“Në Gjakovë për pesë ditë do të ketë spektakël të basketbollit, me finalet që pritet të jenë të jashtëzakonshme”, ka shkruar FBK-ja në njoftim. “Atmosfera në ‘Shani Nushi’ ka qenë fantastike dhe pritet të jetë edhe gjatë ‘Final 8’”.
Në fakt, Vëllaznimi këtë edicion pothuajse në secilën ndeshje kampionale e ka pasur palestrën të stërmbushur. Atmosfera ishte në secilën prej tyre e jashtëzakonshme, ndërsa nuk ka ndodhur asnjë incident, i cili do të detyronte gjyqtarët që të kërkohen zbrazjen e palestrës “Shani Nushi” sikur që ka ndodhur nëpër qytetet e tjera të Kosovës. Në FBK janë të bindur se në Gjakovë do të konfirmohet se “basketbolli është për të gjithë” dhe jo vetëm për tifozët ultras që po shkaktojnë telashe nëpër ndeshjet e ekipeve tjera. Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, insiston se në “Final 8” të këtij edicioni nuk do të ketë telashe sikurse në turnetë e kaluar, përfshirë edhe atë të Superkupës së Kosovës që u mbajt në fillim të këtij edicioni në Suharekë. Sipas saj, Vëllaznimi ka merituar t’i besohet organizimi i kësaj ngjarjeje, pasi ka dëshmuar se ka bërë një punë të mrekullueshme këtë edicion në të gjitha aspektet, përfshirë edhe tifozët.
“Sigurisht, që presim spektakël në Gjakovë duke pasur parasysh se në ndeshjet e Vëllaznimit këtë edicion nuk ka ekzistuar as eksesi më i vogël. Pra, tifozët gjakovarë e kanë përkrahur ekipin e tyre në mënyrë korrekte, pavarësisht basketbollit dhe kanë treguar se e duan këtë sport. Andaj, ne si federatë i kemi besuar organizimin Vëllaznimit edhe pse shumë lehtë kemi mundur ta marrim vet përsipër sikurse në të kaluarën. Vëllaznimi ka përmbushur të gjitha kriteret dhe sigurisht se do ta tejkaloj edhe këtë sfidë në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Dushku. “Besojmë se në Gjakovë do të dëshmohet se basketbolli është sport për të gjithë, pasi besojmë se nuk do të kemi telashe që i kemi pasur në qytetet tjera, përfshirë këtu turneun e Superkupës të mbajtur në Suharekë”.
Dushku tha se sa u përket tifozëve, kjo çështje është mbetur të diskutohet javën e ardhshme, kur edhe do të njoftohet rreth udhëtimit dhe organizimit të tyre. Ndërkohë, te Vëllaznimi ndihen krenarë që u është besuar organizimi i “Final 8” të Kupës së Kosovës. Kryetari i klubit, Ideal Bakija thotë se tash fillon puna e vështirë për shkak se Vëllaznimi duhet ta konfirmoj besimin e dhënë nga FBK-ja këtë ngjarje. Sipas tij, këtë organizim e kanë mundësuar edhe tifozët e klubit, të cilët kanë treguar kulturë të lartë sportive në ndeshjet e Vëllaznimit.
“Sigurisht që na vjen mirë që na është besuar organizimi i kësaj ngjarjeje dhe besoj se jemi gati të dëshmojmë edhe një herë se në Gjakovë ka atmosferë të zjarrtë dhe jo incidente. Ne kemi punuar shumë në të gjitha aspektet dhe duhet falënderuar tifozët që nuk duan ta dëmtojnë klubin, por ta përkrahin atë në secilën ndeshje si është më së miri. Besoj se jemi gati për një spektakël tjetër në qytetin tonë”, ka thënë Bakija për KOHËN, duke shtuar se Vëllaznimi do të tentojë ta fitojë këtë trofe para publikut të tij.
Skuadra e Trepçës ka triumfuar në dy edicionet e Kupës së Kosovës. Në “Final 8” do të garojnë tetë skuadrat e Superligës, ndërsa do të luhet edhe finalja e femrave dhe ajo e Ligës së Parë.