Atleti kosovar Musa Hajdari ka marrë ftesë për ta përfaqësuar Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Lajmi është konfirmuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, që ka thënë se KOK-u dhe Federata e Atletikës së Kosovës kanë pranuar ftesën sipas vendit të rezervuar për univerzalitetin.
Për Hajdarin, që garon në 800 metra vrapim, është hera e dytë që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Ai garoi edhe në “Rio 2016”.
Sporti i atletikës dhe notit marrin ftesa të veçantë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për pjesëmarrje në Lojëra Olimpike. Në not pritet Kosova të marrë dy ftesa.
Kosova në Lojërat Olimpike në Tokio do të jetë me 11 sportistë.
Lojërat Olimpike mbahen prej 23 korrikut deri më 8 gusht të këtij viti.
Në këto “Tokio 2020” do të jenë pesë xhudistë, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Loriana Kuka e Akil Gjakova, që janë kualifikuar me normë. Më pas do të jetë mundësi Egzon Shala, që po ashtu ka siguruar normën.
Ndërsa ftesë ka marrë shenjtari Drilon Ibrahimi e boksierja Donjeta Sadiku. Po ashtu është konfirmuar edhe Musa Hajdari, dhe do të jenë edhe dy notarë.