Aplikimi i sistemit VAR në Kosovë u prit me bujë të madhe. U vlerësua se kritikat në adresë të gjyqtarëve të Kosovës do të jenë dukshëm më të vogla se në edicionet e kaluara. Por, vendimet e marra në disa ndeshje nga disa gjyqtarë, janë kritikuar qysh në javën e parë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll. Ankesa se nuk pati vlerësim korrekt në disa raste pati edhe trajneri i Dukagjinit të Klinës, Armend Dallku. Dukagjini në ndeshjen e parë, luajti baras 2:2 në udhëtim te Ballkani i Suharekës. Dallku në emisionin sportiv të KTV-së “Sporti Total” të dielën mbrëma tha se gjyqtari kryesor Visar Kastrati, gaboi që në rastin e penalltisë së dhënë në favor të Ballkanit, pasi nuk u konsultua me dhomën e VAR-it. Madje, tha se pas ndeshjes, Kastrati i ka thënë se për ta kërkuar rishikimin nëpërmjet VAR-it për rastin e penalltisë për Ballkanin, “nuk keni protestuar”.
“Pas ndeshjes, kemi pasur një bashkëbisedim me gjyqtarin dhe na është thënë që nuk keni protestuar dhe nuk e kam parë VAR-in. Këtu gjyqtari nuk është konsultuar fare me VAR-in dhe ka qenë shumë i bindur se ka qenë penallti dhe ne nuk kemi reaguar fare edhe si ekip edhe si lojtarë. Gjyqtari që ka ndarë drejtësi në këtë ndeshje ka qenë edhe ligjërues sa i përket VAR-it. Ne gjatë tërë javës kemi punuar me futbollistët që tash do të jetë gjithçka ndryshe dhe nuk duhet të protestojmë, sepse gjithçka do të vendoset brenda fushës përmes VAR-it ku do të shikohet me shumë vëmendje, nuk do të ketë hatërmbetje e shumë gjëra të tjera. Nuk më është dukur e drejtë nga ana e gjyqtarit të mos konsultohet me VAR-in kur ka dyshime”, ka thënë Dallku.
Gjyqtari Kastrati është kontaktuar nga KOHA, por nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Dallkut. I habitur me atë se çfarë i ka thënë gjyqtari Kastrati trajnerit Dallku pas ndeshjes, është shprehur edhe kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci.
“Gjatë ligjëratave për VAR, gjyqtarët na kanë këshilluar që nuk kemi të drejtë ne si futbollistë të protestojmë, sepse nëse protestojmë dhe kërkojmë të shikohet VAR-i, do të ndëshkohemi me karton të verdhë. Tash si ka mundësi të thotë që është dashur të protestojnë e neve na është thënë të mos protestojmë”, ka thënë Lladrovci për “Sportin Total”.
Vendimin e Kastratit, Dallku në dyshim e ka vënë edhe në rastin e kartonit të kuq të dhënë për Ahmed Januzin nga gjyqtari Kastrati. Januzi u përjashtua nga ndeshja në minutën e 71-të. Në fakt, gjyqtari Kastrati fillimisht e ndëshkoi Januzin me karton të verdhë, por pasi u konsultua me VAR-in, e ndëshkoi me kartonin e kuq.
“Nëse shihet me vëmendje, lojtari ynë e prek fillimisht topin dhe në lëvizje, këmba i shkon këmba e lojtarit kundërshtar, por këtu qëllimi nuk ka qenë këmba e tij. Nëse do të ishte e qëllimshme, kartoni i kuq nuk do të duhej të diskutohej, por në rastin e penalltisë, nuk i vinte as era penallti”, është shprehur Dallku.
Dy vendimet e kundërshtuara nga Dallku nuk ishin edhe të vetmet e xhiros së parë të Superligës që u zhvillua vikendin e shkuar. Ankesa në drejtim të gjyqtarëve ka edhe trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku. Ai thotë se ekipi i tij u dëmtua në tri raste. Drenica në xhiron e parë, barazoi 1:1 në shtëpi kundër skuadrës së Gjilanit.
“Po besoj që kanë qenë tri situata të dyshimta, apo tri raste diskutabile që ndoshta është dashur të vendosen përmes VAR-it. Por, gjyqtari Genc Nuza si duket i ka marrë vendimet ashtu si i ka menduar ai, por besoj që në minutën e tretë te Baton Zabërgja ka qenë penallti te goditja e lirë kur është shënuar goli i parë nga ne ka qenë lojtari i fundit në drejtim të golit dhe mendoj se është dashur karton i kuq dhe një rast në pjesën e dytë te ndërhyrja brenda zonës në Denisson që mendoj se Nuza është dashur pa u hamendur të akordojë penallti. Është konsultuar me dhomën e VAR-it, por sërish ka marrë vendim të mos akordoj penallti dhe unë mendoj se ka qenë 100 %. Por, sido që të jetë, ne nuk jemi ankuar e as nuk po ankohemi në referim, por mendoj që janë raste të pastra që kanë ekzistuar. Në Skenderaj, VAR-i nuk ka funksionuar”, ka thënë Lushtaku të hënën për KOHËN.
VAR-i ka nisur të implementohet që prej ndeshjes së Superkupës së zhvilluar javën e shkuar në mes të kampiones Prishtinës dhe fituesit të Kupës, Llapit. Ndërsa, për vendimet e gjyqtarëve të xhiros së pari pati ankesa. Megjithatë, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, thotë se VAR-i nuk është për të rishikuar secilën ndërhyrje sepse sipas tij, në të kundërtën ndeshja do të zgjaste tri orë.
“VAR-i është sistem për të mirën e futbollit, pra nuk është as për federatën e as për klubet. Është vetëm për të mirën e futbollit dhe duhet pak kohë deri sa të adaptohemi të gjithë me të. Në të gjithë botën, aplikohet ky sistem dhe është nevojitur pak kohë për adaptim. Gjithashtu, VAR-i nuk është për t’u rishikuar secila ndërhyrje, sepse ashtu do të zgjaste ndeshja tri orë. Janë referët në dhomën e VAR-it, të cilët e këshillojnë referin në fushë për ndonjë rast diskutabil. E kemi implementuar për një kohë shumë të shkurtër dhe gjërat do të shkojnë vetëm duke u përmirësuar”, ka thënë Ademi.
Në FFK, implementimin e VAR-it e kanë vlerësuar si projektin më të madh që nga pranimi në UEFA dhe FIFA.