Sport

Artis kërkon përkrahjen e shikuesve për “finalen” ndaj Danimarkës

Loja ekipore ka qenë vendimtare në fitoren e Kosovës në udhëtim te Zvicra, në ndeshjen e tretë të fazës së tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Dhe ajo erdhi në shprehje sidomos në minutën e fundit, që vendosi edhe çështjen e fituesit, të shtunën.

Muhamedali Janjeva me dy shënimet për një pikë i dha epërsinë Kosovës, 73:72. Arian Çallakaj ndali më pas një sulm të helvetikëve. Drilon Hajrizi në sekondat e fundit bëri kërcim në mbrojtje, kurse Dominic Artis shënoi tri pikët e fundit në ndeshje nga gjuajtjet e lira.

Grupi i bashkuar dhe besimi për fitore kanë qenë çelës i suksesit të Kosovës.

“Trajneri na ka përgatitur për situata të tilla. Në fund fituam”, ka thënë të dielën për KOHËN, Dominic Artis, amerikani i natyralizuar i Kosovës.

Artis ishte më i miri në ndeshjen e fituar, që ishte vendimtare për Kosovën për ta mbajtur gjallë shpresën për të shkuar tutje në kualifikimet e rregullta.

Artis kishte 22 pikë të shënuara, gjashtë kërcime e katër asistime.

“Ka qenë shumë, shumë fitore e vështirë. Zvicra ka shumë lojtarë të rinj, të talentuar. Ata pa dyshim se ishin të gatshëm të përballeshin me ne. E kishin epërsinë thuajse në tërë ndeshjen. Ne vetëm e shikuam lojën tonë, nuk u dorëzuam. Në fund ia dolëm me sukses. Ata kishin nevojë për fitore në mënyrë që të mbanin gjallë shpresat dhe luajtën me gjithçka që patën nga vetja”, ka shtuar Artis.

Artis po ndihet shumë mirë që është pjesë e Kosovës. Ndonëse ka vetëm tri ndeshje me fanellën e “Dardanëve”, është kthyer në një prej lojtarëve më të pëlqyer. Ai thotë se kur i është bashkuar Kosovës, bashkë me selektorin Rami Hadar dhe bashkëlojtarët e kanë ditur se do të përballeshin me kundërshtarë të fortë. Por synimi ka qenë arritja në kualifikime të rregullta.

“I dija aftësitë e mia dhe çfarë isha në gjendje të bëja. Me trajnerin dhe me lojtarët e tjerë kemi parashikuar ndeshje të tilla. Ne kemi insistuar që të punojmë fort, të ishim agresivë, në mënyrë që të krijonim mundësi së bashku. Jam shumë i gëzuar që kam ardhur te Kosova dhe natyrisht u jam falënderues të gjithëve që më kanë pranuar këtu”, është shprehur fundori 30-vjeçar.

Basketbollisti amerikan prej më të dalluarve ishte edhe në duelin e parë ndaj Zvicrës, në fitoren e thellë 76:49.

Kishte realizuar 19 pikë, dy kërcime e gjashtë asistime. Ndaj Danimarkës në udhëtim, ku Kosova pësoi disfatë me rezultatin 82:75, Artis realizoi 23 pikë, katër kërcime e katër asistime. Pra, po shquhet vazhdimisht.

Kosova i pret danezët në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren më 5 gusht. Ai ballafaqim luhet nga ora 20:45.

“Kemi pak ditë për të pushuar e për t’u rikuperuar nga udhëtimi që patëm. Pres që të jemi të freskët dhe të vazhdojmë atë për të cilën jemi duke u përgatitur tash e një muaj. Jemi përgatitur për mundësi të tilla dhe duam që ta shfrytëzojmë mundësinë që e kemi”, ka thënë Artis.

Kosova për të kaluar në kualifikime të rregullta duhet të fitojë ndaj Danimarkës me më shumë se shtatë pikë dallim.

Artis ka bërë thirrje për mbushjen e palestrës me tifozë.

“Po shpresoj shumë që palestra të jetë e mbushur. E kemi biseduar edhe me bashkëlojtarët. Presim që të ketë më shumë tifozë sesa në ndeshjen e parë kundër Zvicrës. Ata na ndihmojnë shumë. Energjia që ata na sollën nga ndeshja e parë në shtëpi ishte shumë e madhe. Do të ishte e veçantë që ata të jenë në palestër sërish dhe t’ia dalim ta kalojmë edhe këtë finale”, deklaroi Artis.

“Dardanët” prijnë në Grupin H me dy fitore e një disfatë. Danimarka është e dyta me një pikë më pak se Kosova, pas dy fitoreve. Zvicra, pa gjasa për kualifikim tutje, është e fundit me tri pikë.

Artis është amerikani i gjashtë i natyralizuar, pas Justin Doellmanit, Scott Bamforthit, Shawn Jonesit, Divine Mylesit e Malcolm Armsteadit.

Vetëm Doellman kishte bërë dallimin prej të kaluarve. Por edhe Artis po përmbush pritjet.

Artis karrierë ka bërë në Francë, Greqi, Itali, Slloveni e Greqi. Në edicionin e ardhshëm do të luajë në Turqi, te skuadra e Bodrumit. Para se t’i bashkohet skuadrës, ai ka një mision me Kosovën.