Sport

Arteta insiston se lojtarët e nivelit botëror duan t’i bashkohen Arsenalit

rajneri Mikel Arteta është i bindur se Arsenali ende mund të tërheqë lojtarët më të mirë në botë, pavarësisht vështirësive që ka pasur në vitet e fundit, ndërsa thashethemet vazhdojnë për një lëvizje për sulmuesin e Fiorentinas, Dusan Vllahoviqin.

“Topçinjtë”, të cilët udhëtojnë në Liverpool të enjten për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Ligës, renditen në pozitën e katërt në Premier League dhe synim e kanë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve pas një mungese prej pesë sezonesh në garën më elitare të Evropës.

Pavarësisht se përfundoi në pozitën e tetë në dy sezonet e fundit dhe nuk u paraqit në asnjë garë evropiane, Arsenali ishte shpenzuesi më i madh në Angli gjatë afatit kalimtar të verës, duke sjellë një numër të konsiderueshëm lojtarësh, përfshirë Aaron Ramsdalen, Ben Whiten e Martin Odegaardin. Javët e fundit ka pasur shumë spekulime për interesimin e Arsenalit për 21-vjeçarin Vllahoviq, i cili ka shënuar 16 gola në Serie A këtë sezon. Trajneri i Arsenalit, Arteta, tha të mërkurën se nuk dëshiron të komentojë thashethemet për transferimin e tij, por u tha gazetarëve se klubi i Londrës Veriore mbetet një destinacion tërheqës për lojtarët elitarë.

“Historikisht ky klub ka synuar gjithmonë lojtarët më të mirë në botë dhe lojtarët më të mirë në botë kanë qenë gjithmonë të interesuar të vijnë këtu, dhe mund të them se situata nuk ka ndryshuar aspak. Sa herë që kam folur me ndonjë lojtar, ata kanë qenë shumë të gatshëm të vijnë. Unë nuk jam përballur me ndonjë situatë tjetër dhe kjo është një nga fuqitë tona më të mëdha”, ka insistuar Arteta. “Kapaciteti ynë për të tërhequr vëmendjen e njerëzve që të vijnë dhe t'i bashkohen klubit tonë është diçka që është një avantazh për ne në krahasim me klubet e tjera.

Arteta nuk bëri asnjë referencë specifike për Vllahoviqin dhe as nuk hodhi dritë mbi largimet e mundshme të disa lojtarëve. Megjithatë, Sead Kolasinac është një objektiv për Marseillen dhe Arsenali është në negociata me Udinesen për huazimin e Pablo Marinit për pjesën e dytë të sezonit. Folarin Balogun është huazuar tashmë te Middlesbrough. Ndeshja e së enjtes duhet të ishte përballja e dytë gjysmëfinale e Kupës së Ligës, por është e para, me takimin e javës së kaluar në stadiumin “Emirates” të anuluar pas disa rasteve pozitive me koronavirus te Liverpooli. Që atëherë është konfirmuar se shumë prej tyre ishin raste false pozitive, por Arteta ishte i sigurt për situatën.

“Është diçka që nuk është nën kontrollin tonë. EFL (Liga Angleze e Futbollit) është përgjegjëse për të kontrolluar statusin e secilit lojtar dhe më pas të marrë vendimin nëse loja luhet apo jo. Vendimi ishte që të shtyhej ndeshja dhe jam i sigurt se nëse ishte kështu, atëherë ata kishin argumentet e duhura për ta bërë këtë”, ka thënë Arteta.

Skuadra e Artetas, e cila u eliminua nga Nottingham Foresti në raundin e tretë të Kupës FA të dielën e shkuar, ka problemet e veta me koronavirus dhe trajneri shpreson që Granit Xhaka mund të rikthehet pas një periudhe të virusit.

“Është situatë jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe e pasigurt”, tha Arteta për lojtarët që mund t’i ketë në dispozicion. “E them këtë, sepse situata ndryshon nga dita në ditë dhe nuk mund të jap ndonjë detaj të saktë. Javën e fundit kemi humbur kaq shumë lojtarë për shumë arsye të ndryshme dhe ne po përpiqemi të përshtatemi me këtë. Do të përdor lojtarët që kemi dhe do të nxjerr maksimumin prej tij. Po ashtu, shpresoj që Granitin ta kem në dispozicion prej këtij takimi”.