Sport

Arsenali përballë Unitedit në derbin e Premier Leagues

Derbi ndërmjet Arsenalit dhe Manchester Unitedit, do ta mbyll xhiron e katërt të Premier Leagues. Kjo ndeshje, luhet të dielën prej orës 17:30 në stadiumin “Emirates” të Londrës. Të dy skuadrat synojnë fitoren në këtë derbi, duke pasur parasysh se sezoni i klubeve do të ketë një pushim prej dy javësh shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueseve.

Arsenali do të kërkojë që ndaj Unitedit ta përmirësojë gabimin e xhiros së shkuar, kur në shtëpi barazoi 2:2 me Fulhamin. Ky barazim për “Topçinjtë” erdhi pas një serie prej dy fitoreve dhe i ka zbritur në pozitën e pestë në tabelë me 7 pikë të mbledhura. Unitedi ka 6 pikë dhe zë vendin e tetë në tabelë, ndërsa ndaj Arsenalit do të kërkojë ta evitojë humbjen e dytë pas katër ndeshjeve të para të këtij edicioni.

Në xhiron e shkuar, Unitedi fitoi me përmbysje të rezultatit ndaj Nottingham Forestit, ekip që pas vetëm katër minutave lojë ishte në avantazh prej dy golave. Në fund, Unitedi fitoi 3:2 dhe drejt Londrës do të udhëtojë i motivuar për ta vazhduar ecurinë pozitive.

Të dielën, zhvillohen edhe dy ndeshje tjera, por prej orës 15:00. Crystal Palace e pret në shtëpi Wolverhamptonin, ndërsa Liverpooli në stadiumin “Anfield Road” do të përballet me skuadrën e Aston Villas. Kampioni në fuqi, Manchester City do ta kërkojë fitoren e katërt në po aq ndeshje të zhvilluara pasi të shtunën prej orës 16:00 luan në shtëpi kundër skuadrës së Fulhamit. City është ekipi i vetëm deri më tani që i ka fituar të gjitha ndeshjet këtë edicion në elitën e futbollit anglez.

Të shtunën, edhe Chelsea do ta kërkojë fitoren e dytë në shtëpi pas triumfit ndaj Lutonit javën e shkuar. Ekipi i trajnerit Mauricio Pochettino sërish luan në “Stamford Bridge”, por këtë herë me Nottinghamin. Ndërkohë, dueli i fundit i ditës së shtunë, do të jetë ai mes Brightonit dhe Newcastle Unitedit, skuadra që pësuan humbje xhiron e fundit. Kjo përballje nis në orën 18:30 dhe Newcastle i shkon Brightonit pas një serie prej dy disfatave rresht.