Sport

Arsenali konfirmon lëndimin e rëndë të Timberit

Jurrien Timber ka pësuar lëndim të rëndë në ligamentin e gjurit të djathtë dhe do t’i nënshtrohet operimit në ditët në vijim, ka konfirmuar Arsenali të mërkurën. Timber u largua nga loja në minutën e 50-të në fitoren 2:1 të “revolveristëve” kundër Nottingham Forestit të dielën.

Mbrojtësi 22-vjeçar u transferua në muajin e kaluar për 40 milionë euro tek Arsenali nga skuadra e Ajaxit. Në komunikatën për media, Arsenali ka njoftuar se Timber do të jetë jashtë fushës së gjelbër për një periudhë kohore.

Ai zhvilloi 47 paraqitje në të gjitha garat për Ajaxin në edicionin e kaluar, përfshirë edhe gjashtë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Dha kontribut me dy gola e dy asistime në sezonin e kaluar, ndërsa me Ajaxin fitoi titullin në vitin 2021 dhe 2022.