Sport

Arsenal – Tottenham, derbi i xhiros së gjashtë

Dueli i rivalëve të Londrës, ai mes Arsenalit dhe Tottenhamit, do të jetë edhe derbi i xhiros së 6-të në Premier League. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 15:00 në stadiumin “Emirates”. Të dyja ekipet kanë treguar formë të mirë këtë edicion dhe nuk dinë për humbje pas pesë xhirove të zhvilluara deri më tani.

Në fakt, si Arsenali ashtu edhe Tottenhami kanë regjistruar nga katër fitore dhe një barazim dhe kanë pikë të njëjta në tabelë. Tottenhami është i dyti, falë goldallimit më të mirë se Arsenali që renditet në pozitën e katërt, po ashtu me 13 pikë.

13 pikë i ka edhe Liverpooli që zë vendin e tretë dhe në kuadër të xhiros së gjashtë luan në shtëpi. Edhe Liverpooli luan të dielën prej orës 15:00, ku e pret skuadrën e West Ham Unitedit. West Hami, që ka 10 pikë, do të përpiqet t’ia shkaktojë Liverpoolit humbjen e parë këtë edicion, ndonëse ekipi i trajnerit Juergen Klopp vlerësohet favorit në këtë përballje.

Kjo xhiro e kampionatit anglez nis të shtunën prej orës 16:00, orar në të cilin do të zhvillohen tri ndeshje.

Kampioni në fuqi, Manchester City, do të përpiqet ta regjistrojë edhe fitoren e gjashtë në po aq ndeshje të luajtura, pasi në shtëpi përballet me Nottingham Forestin.

Ndërkohë Manchester Unitedi do të tentojë të rikthehet te fitorja të shtunën mbrëma prej orës 21:00, ku luan në udhëtim te skuadra e Burnleyt. Burnley ende nuk di për fitore këtë edicion, ndërsa Manchester Unitedi ka regjistruar tri humbje në pesë ndeshje të luajtura.

Xhiroja e gjashtë në Premier League do të mbyllet me ndeshjen mes Sheffieldit dhe Newcastle Unitedit, e cila luhet të dielën prej orës 17:30.