Ekipi i Kosovës në boks pritet të forcohet ndjeshëm në tentim për të fituar normë olimpike e më pas edhe medalje në “Parisi 2024”. Njëri prej boksierëve më të mirë të Kosovës në dy dekadat e fundit, Armend Xhoxhaj, do të kthehet nga profesionalizmi në boksin olimpik me synim për ta fituar normën. Ndërkohë për Kosovën me shumë mundësi do të boksojë edhe kubani shumë i suksesshëm, Lenar Perez.
Kosova ende nuk ka normë në boks për lojërat olimpikë “Parisi 2024”. Deri në fund të kualifikimeve janë edhe dy turne kualifikues botërorë. I pari mbahet në Busto Arsizio të Italisë prej 29 shkurtit deri më 12 mars. Ndërkohë turneu i dytë është në Bangkok të Tajlandës prej 23 majit deri më 3 qershor. Në Tajlandë pritet ta kërkojnë normën Xhoxhaj dhe kubani Perez. Këtë e ka bërë të ditur të hënën për KOHËN, Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës.

“Kemi pasur një takim shumë konstruktiv me Armend Xhoxhajn, që tashmë ka shumë vjet që zhvillon karrierë në boksin profesionist. Xhoxhajn e kemi njoftuar me mundësinë që të paraqitet në kualifikime olimpike dhe ai e ka vlerësuar këtë mundësi. Në mars ka meç për titull në boksin profesionist, por është i gatshëm që të boksojë në kualifikime në maj në Tajlandë”, ka thënë Demolli.
Para se të kalonte në profesionizëm, Armend Xhoxhaj ishte prej boksierëve më të mirë amatorë në Kosovë. Ka fituar shumë tituj të Kosovës e shumë trofe nëpër turne. 29-vjeçari tashmë jeton në Gjermani. Në boksin profesionist i ka 18 fitore e tri humbje. Nëntë prej fitoreve i ka shënuar me ndërprerje.
Prizrenasi Xhoxhaj së fundi ka boksuar më 25 nëntor të vitit të kaluar dhe shënoi fitore. Vjet i fitoi të gjitha katër meçet e zhvilluara.
Në boksin profesionist paraqitet edhe 25-vjeçari Lenar Perez. Ai ka ecuri pozitive prej 12 fitoreve. Të gjitha fitoret i ka me ndërprerje. Perez aktualisht jeton në Rusi. Në Kubë kishte karrierë të suksesshme në boksin amator, ndërsa është në kërkim të paraqitjes në Lojërat Olimpike të Parisit.
“Presidenti i Konfederatës Evropiane të Boksit ia ka propozuar këtë boksier presidentit të Federatës sonë, Enver Krasniqi. Bëhet fjalë për boksier shumë cilësor. Kosova dhe Maqedonia e Veriut ishin opsion për këtë boksier, por prioritet kishte vendi ynë. Po presim që të fillojmë procedurën për pajisje të tij me pasaportë të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që ai të paraqitet për Kosovën në turneun kualifikues për Lojëra Olimpike”, ka shtuar Demolli.
Zyrtari i Federatës së Boksit të Kosovës ka thënë se dy boksierët pritet të paraqiten në kategoritë ku Kosova ka mungesë të garuesve cilësorë aktualisht. Xhoxhaj pritet të garojë në kategorinë deri 92 kilogramë, ndërsa Lenar Perez në kategorinë deri 80 kilogramë.
Në Federatën e Boksit të Kosovës besojnë fuqishëm se do të sigurojnë norma për Lojërat Olimpike të Parisit. Shpresa të mëdha për normë ka te Donjeta Sadiku ,si dhe te vëllezërit Shpëtim e Bashkim Bajoku.
Sadiku dhe vëllezërit Bajoku shpresojnë ta sigurojnë normën në turneun kualifikues në Itali. Nëse nuk ia dalin, pritet të paraqiten edhe në turneun e fundit në Bangkok.
Aktualisht vetëm në xhudo Kosova ka norma për Lojërat në Paris. Xhudoja synon paraqitjen me pesë xhudistë në Olimpiadën e Parisit. Distria Krasniqi, Laura Fazliu, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka janë brenda zonës që sigurojnë normën. Në sportet e tjera norma nuk duket e afërt. Gjasat më të mëdha i kanë boksierët. Me Xhoxhajn e potencialisht edhe Perezin, ekipi i boksit do t’i ketë edhe dy adutë.