Sport

Arifi, shpresë e taekwondos së Kosovës

Fëmijë të moshave të ndryshme ishin rreshtuar dhe dëgjonin me kujdes fjalimin që mbante trajneri Muhamed Saqipi. Ai po u tregonte lëvizjet të cilat do t’i bënin në vazhdim.

Një nga një, sportistët e rinj me ëndërr të madhe po mundoheshin të jepnin më të mirën në sallën jo fort të madhe ku po ushtronin, në Prishtinë.

Pasi përfunduan ushtrimet në akademinë e taekwondos dhe hapkidos “Tigër”, u përshëndetën me trajnerin dhe liruan sallën për seniorët.

Në mesin e të rriturve ushtronte edhe Lorent Arifi, një prej garuesve më të mirë që ka Kosova në sportin e taekwondos.

Arifi është 18-vjeçar dhe ka synime të mëdha në karrierë. Në fillim të dhjetorit fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Ballkanik të mbajtur në Durrës.

Ky sukses ka bërë që Arifi të zërë vend në mesin e sportistëve të kategorizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ai garon në kategorinë deri në 63 kilogramë.

“Kam nisur me këtë sport në vitin 2014. Sukseset e mia deri më tani janë të mira. Kam marrë pjesë nëpër gara, nëpër G2, G1 dhe në Kampionat Ballkanik. Ka qenë periudhë e vështirë nga fillimi, por jo shumë. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Sidomos me trajnerin tim. Jam shumë i kënaqur. Synim kam që të arrijë suksese në G1, G2, Kampionat Ballkanik dhe në Kampionat Botëror. Synim i imi mbetet pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Është shumë e vështirë, por me punë shpresojmë të arrijmë suksese”, ka thënë Arifi për KOHËN.

Këtë vit më të mirët e taekwondos së Kosovës pritet të marrin pjesë në shtatë gara, në grupmosha të ndryshme.

Taekowondistët i presin gara në Stamboll, Bullgari, Belgjikë, Austri, Bosnjë, Francë, Mal të Zi dhe Shqipëri.

Trajneri Muhamed Saqipi, që është edhe selektor i Kosovës, thotë se për pjesëmarrje në të gjitha këto gara duhet mbështetje edhe nga sponsorët. Ai tregon se klubin e ka themeluar në vitin 1995 dhe se aktualisht ka rreth 70 nxënës të të gjitha grupmoshave.

Saqipi thotë se ka prezantuar në Kosovë disiplinën hapkido, që aplikohet për mbrojtje.

Ai mburret me sukseset e Lorentit.

“Lorenti mund të them që ka pasur suksese të mëdha në kohët e fundit. Mendojmë që edhe në të ardhmen të kemi suksese, në bazë të synimeve që i kemi. Mendojmë të shkojmë lart e më lart. Shpresojmë të kemi përkrahje nga sponsorizimi. Rezultati i fundit ka ardhur edhe falë sponsorizimit që e patëm ne si Akademi dhe u ngritëm. Pa sponsorizim, pa përkrahje, është problem të depërtohet edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Saqipi.

Ai është i kënaqur me nivelin e taekwondos në Kosovë, por shpreson që me përkrahje edhe më të madhe institucionale, cilësia të rritet.

Synimi i Arifit mbetet kualifikimi në Olimpiadën e Parisit. Por kjo vlerësohet shumë vështirë që të realizohet.