U rritën së bashku edhe në futboll. Fillimisht ishin nxënës të trajnerit Bardhec Seferi në shkollën e futbollit “Bardhi” e më pas iu bashkuan Trepçës, ku luajtën për ekipin e parë dhe madje debutuan në Superligë. Nga stadiumi “Adem Jashari” kaluan në “Riza Lushta” për te Trepça ’89. Vazhduan rritjen si lojtarë dhe fituan Superkupën e Kosovës në vitin 2017.
Bëhet fjalë për vëllezërit Ardian e Arbnor Muja.
I vogli, Arbnori, javën e shkuar bëri hapin e madh në karrierë duke u transferua nga Drita e Gjilanit tek Antwerpi në Belgjikë. Me klubin belg nënshkroi kontratë të vlefshme deri në vitin 2025 me mundësi vazhdimi edhe për një vit.
Për dallim prej Arbnorit që në verën e vitit 2021 iu bashkua Dritës nga Trepça ’89, Ardiani i qëndroi besnik ‘89-shit. Madje vjet u zgjodh kapiten i ‘89-shit, duke i prirë skuadrës drejt rikthimit në Superligë.
Kalimi i Arbnorit te Drita, ishte ndarja e dytë e vëllezërve Muja.
Ndarja e parë kishte ndodhur në vitin 2018, kur Arbnori kishte shkuar në Gjermani te ekipi i dytë i Braunshweigut dhe më pas te Skënderbeu në Shqipëri.
Për KOHËN, vëllai i madh, Ardiani, thotë se ndarja e parë ka qenë më e vështirë. Kurse për ndarjen e fundit thekson se ka qenë me fat për vëllanë e tij, Arbnorin.
Sipas tij, Arbnori duhet të merret shembull nga gjeneratat e reja. Dallimi në moshë mes Ardianit (24) dhe Arbnorit (23) është vetëm një vit.
“Është e vërtetë që me Arbnorin jemi rritur në gjenerata dhe kemi luajtur së bashku si te shkolla e futbollit ‘Bardhi’ ashtu edhe te Trepça dhe se fundmi te Trepça ’89. Për mendimin tim rrugëtimi i Arbnorit është për t’u admiruar nga çdo futbollist dhe duhet të jetë motiv shtesë dhe shembull për gjeneratat e reja sesi duke mos u dorëzuar dhe vetëm me punë mund të arrihet deri te dalja ne Evropë nga Superliga e Kosovës”, u shpreh Ardian Muja të hënën.
Largësia thotë se nuk po i pengon më. Tashmë çdo ditë është në kontakt me vëllanë e vogël.
“Personalisht nuk e kam të vështirë largësinë me Arbnorin, pasi për çdo ditë kemi kontakt përmes telefonit dhe flasim rreth stërvitjeve dhe gjërave të ndryshme. Kështu që pak ka pasur ndikim largësia pasi kemi kontakte dhe raporte të shkëlqyera. Unë i uroj të gjitha të mirat në karrierën e tij që ka nisur në Evropë tek Antwerpi”, theksoi Ardian Muja.
Ai tregon se nuk ka hequr dorë nga ëndrra që një ditë të luajë në ndonjë klub evropian.
“Normalisht si e çdo futbollisti edhe ëndrra ime është që të luaj një ditë në arenën ndërkombëtare dhe ta përfaqësoj shtetin tim çdoherë në mënyrën të denjë”, deklaroi Ardian Muja.
Muja i madh shton se ka pasur oferta që të largohet nga Trepça ’89 në kohën kur u largua Arbnori për te Drita. Por premtimi që ua kishte dhënë shumë personave nuk e kishte lejuar që të largohej.
“Është e vërtetë që kam pasur oferta që të largohem në kohën kur Trepça ’89 u largua nga Superliga. Mirëpo unë ia dhashë fjalën presidentit të klubit, familjarëve të mi dhe gjithë qytetarëve të Mitrovicës se Trepçën ’89 do ta kthejmë aty ku e ka vendin, pra në Superligë dhe normalisht çdoherë me ndihmën e gjithë bashkëlojtarëve kemi arritur që të rikthehemi për një vit dhe i falënderoj të gjithë për çdo gjë. Te Trepça ’89 vendosa që të mbetem edhe për shkak të projektit të cilin ma ka prezantuar presidenti Abedin Zeka, drejtori dhe trajneri Shpëtim Idrizi, ku synimi ishte rikthimi në Superligë, gjë të cilën e arritëm”.
Ardian Muja me ‘89-shin synon që të luajë në garat evropiane.
“Synimet e Trepçës ’89 çdoherë janë të mëdha. Kemi një grup të ri të lojtarëve, me moshë mesatare 21.5 vjet. Mendoj që brenda ekipit kemi lojtarë kualitativë që dinë të bëjnë diferencën, ani pse në moshën të re. Për ta do të dëgjojmë shumë në vazhdim. Sa i përket Trepçës ’89, ne do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe pastaj do të shohim rrjedhën e kampionatit, pse jo të synojmë edhe daljen në Evropë”.