Sport

Ardi Shala, lojtari vendimtar i Ulpianës në ndeshjet e fundit

Prishtinë, 1 nëntor – Ardi Shala ka qenë lojtari vendimtar i Ulpianës në dy ndeshjet e fundit. Falë golave të tij, ekipi nga Lipjani ka arritur të marrë dy fitore dhe i ka ikur paksa zonës së rrezikshme.

Shala shënoi golin e dytë kundër Malishevës në fitoren 2:1 të Ulpianës si mysafir. Goli i tij doli të jetë i tri pikëve. I njëjti episod ishte edhe të dielën në triumfin ndaj Ballkanit, po ashtu 2:1. Shala shënoi golin e dytë dhe vendosi ndeshjen. Në fakt ai përmirësoi gabimin e tij, pasi kishte shënuar edhe autogol. Ndaj Ballkanit, Shala kishte shënuar edhe në ndeshjen e parë në humbjen 3:2.

Te Ulpiana, Shala është huazuar nga skuadra e Llapit deri në fund të sezonit.

Pas 12 xhirove të luajtura në Superligën e Kosovës në futboll, Ulpiana zë vendin e shtatë në tabelë me 13 pikë të mbledhura.

Sipas Ardi Shalës, me pak fat ekipi ku ai luan qe dy vjet ka mundur të ketë edhe më shumë pikë dhe të jetë edhe më lart në renditje. Ai flet edhe për autogolin dhe thotë se të gjithë në ekip kanë merita për rezultatet e deritanishme.

“Besoj që si ekip i ri në Superligë jemi mirë në këto 12 javë që janë zhvilluar deri më tani. Por, ndoshta me pak fat kemi mundur të kemi edhe më shumë pikë. Jam i kënaqur që morëm tri pikë kundër Ballkanit me golin që unë e shënova. Unë e përmirësova edhe gabimin që bëra duke shënuar autogol. Deri me tani i kam zhvilluar nëntë ndeshje. Kam shënuar tre gola dhe jam shumë i lumtur që e kam ndihmuar ekipin. Të gjithë në skuadër kanë bërë punë të madhe deri më tani”, deklaroi Shala.

Ai vlerëson se po kalon formë të mirë në javët e fundit. Shala thekson që në plan të parë janë rezultatet e ekipit.

“Normalisht çdo futbollist dëshiron që të ketë formë të mirë dhe ta ndihmojë ekipin ku luan. Besoj që tani jam në formë të mirë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu, si individualisht e po ashtu edhe si ekip. Kuptohet, rezultatet e ekipit janë në plan të parë”, theksoi Shala.

Ulpiana ka arritur të marrë pikë ndaj skuadrave pretenduese për titull. Ka mposhtur Gjilanin si mysafir 3:2, Ballkanin në shtëpi 2:1 si dhe ka barazuar me Prishtinën në “Fadil Vokrri”.

Mesfushori Shala tregon se motivi ndaj ekipeve që kërkojnë titullin është shumë i më i madh.

“Ndaj ekipeve më të mëdha normalisht që kemi motiv më të madh dhe kjo po reflekton edhe në fushë. Shpresoj që me angazhim maksimal nga të gjithë në skuadër të vazhdojmë me rezultatet pozitive”, u shpreh Shala.

Shala e pranon se synimi i ekipit që këtë edicion është rikthyer në Superligë pas një dekade është qëndrimi në elitën e futbollit kosovar.

“Synimi ynë është ndeshja e radhës. Kështu i jemi qasur kampionatit nga xhiroja e parë. Shpresojmë që të kapim rezultate të mira ndeshje pas ndeshjeje dhe në fund të jemi në një vend komod në Superligë”, përfundoi Shala.

24-vjeçari nga Prishtina vitin e kaluar ishte shënuesi më i mirë i Ulpianës, e cila u inkuadrua në Superligë. Ai ka luajtur edhe te Flamurtari në Prishtinë, kurse karrierën dhe zhvillimin si futbollit e ka bërë te Ramiz Sadiku.

Nga fillimi i sezonit 2020/2021 ekipi nga Lipjani po drejtohet nga trajneri Edlir Tetova. Me Tetovën në krye lipjanasit kanë tri fitore, katër barazime dhe pesë disfata. Kanë shënuar 13 gola dhe kanë pranuar 21 gola. Është ekipi që ka pranuar më së shumti gola në ligë deri me tani. Humbjen më të thellë deri më tani në Superligë, Ulpiana e ka pësuar nga Llapi në Lipjan, 6:0.

Skuadra e Ulpianës në xhiron e 13-të do të jetë mysafire e Drenicës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.