Sport

Arbëria u përgatit në Antalia, por ndeshjet si vendëse do të vazhdojë t’i luajë në terren të huaj

 

Prishtinë, 5 shkurt – Ashtu siç e nisi edicionin, Arbëria e Dobrajës edhe do ta mbyllë – duke i zhvilluar ndeshjet si vendëse në udhëtim. Ekipi që këtë edicion për herë të parë po luan në Superligën e Kosovës në futboll, për shkak se nuk e kishte gati stadiumin, në stinorin vjeshtor ndeshjet si vendës i ka zhvilluar në stadiumin e Flamurtarit në Prishtinë dhe atë të KEK-ut në Obiliq. Mirëpo, duke pasur parasysh se stadiumi në Dobrajë të Madhe nuk do të jetë gati as në pranverë, Arbëria është e detyruar që në pjesën e dytë të kampionatit të luajë si vendëse në Ferizaj, në stadium me bari sintetik.

Arbëria as stërvitjet nuk i kryen në stadiumin e saj, por në atë të qytetit të Lipjanit, që po ashtu nuk i plotëson kriteret për Superligë.

Edicionin debutues në elitë Arbëria do ta kompletojë jashtë Dobrajës. Punimet në stadiumin në Dobrajë nuk kanë përfunduar dhe trajneri Arbnor Morina po shpreson që futbollistët të përshtaten sa më shpejt në stadiumin me bari sintetik.

Ndeshjen e parë në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj, Arbëria do ta luajë të mërkurën, kur si vendëse do të përballet me Feronikelin në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës.

“Nuk ka gjasa që këtë edicion ta luajmë ndonjë ndeshje në stadiumin tonë dhe mund të them se kjo na penalizon shumë, për shkak se vazhdimisht jemi mysafir. Është shumë vështirë edhe për ekipin të adaptohet për shkak se vazhdimisht po jemi në lëvizje, por nuk kemi çfarë të bëjmë dhe do të na duhet të vazhdojmë siç e kemi nisur sezonin, duke luajtur në udhëtim”, ka thënë Morina për KOHËN. “Megjithatë kudo që të luajmë e kemi obligim të japim më të mirën nga vetja dhe të mos dorëzohemi për asnjë moment”.

Morina ka pranuar se ekipi i tij luan më mirë në fushat me bar natyral, por ka shtuar se moti që nuk është ende stabil, ka bërë që të zhvendosen në Ferizaj në fushën me bari sintetik. Sipas tij, do të ishte vështirë që njëri prej stadiumeve ku Arbëria i luajti ndeshjet si vendëse në vjeshtë t’i përballojë dy skuadra.

“Kemi kërkuar të luajmë në Ferizaj për shkak se fushat nuk janë shumë të mira dhe shto kësaj edhe motin me të reshura të shiut, do ta bënte edhe më të vështirë situatën. Dy klube në një stadium me bari natyral do të ishte e papërballueshme, kështu që do të nisim pranverën në Ferizaj”, u shpreh Morina. “Sinqerisht, mendoj se ekipi luan më mirë në fushë me bari natyral por besoj se do të përshtatet pasi në Superligë janë disa skuadra që luajnë në fusha me bari sintetik”.

Arbëria e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën e gjashtë në tabelë me 21 pikë të mbledhura pas 21 ndeshjeve të zhvilluara. Trajneri Morina thotë se synimi i klubit është që të qëndrojë sa më larg zonës së “rrezikshme”, që sezonin e ardhshëm dërgon në një kategori më të ulët të garave.

“Unë besoj në këtë ekip dhe dëshmia më e mirë do të jetë kampionati”, shtoi Morina, duke theksuar se beson që ka një skuadër të kompletuar pas largimeve dhe afrimeve që i ka bërë në afatin kalimtar të janarit.

Arbëria është përgatitur në Antalia dhe tani do të luajë në Ferizaj.