Sport

Arbëria u kthehet fitoreve, mposht Besën

Arbëria e Dobrajës i ka dhënë fund serisë negative pas katër humbjeve rresht në kampionat, pasi të mërkurën ka mposhtur skuadrën e Besës. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Agron Rama” të Obiliqit, në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll, ka përfunduar me fitoren minimale të Arbërisë (1:0). Sulmuesi Lutfi Billali, në minutën e 77-të, shënoi golin e fitores. Me këtë fitore, Arbëria ngrihet në pozitën e gjashtë në tabelë me 14 pikë, derisa Besa renditet e fundit me vetëm gjashtë pikë të tubuara. Për Arbërinë kjo ishte fitorja e katërt këtë edicion, derisa Besa regjistroi humbjen e tetë.

“Një fitore e mirëseardhur pas shumë ndeshjeve të humbura, që na futën edhe në krizë të lojës. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, siç e kemi paraparë, pasi Besa po i krijon probleme secilit kundërshtar, sepse po luan shumë mirë pavarësisht ekipit të ri. Problemi tjetër te ne i vështirë ishte ai psikologjik, që arritëm ta kalojmë dhe fitojmë. Ambiciet tona janë të stabilizohemi dhe të krijojmë skuadër me bazë të mirë për sezonin tjetër”, tha trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina.

Në pjesëlojën e parë të dyja ekipet patën raste të mira shënimi, por duhet të veçohet ai i Arbërisë, kur gjuajtja e Gëzim Rusit (37’) përfundoi mbi portë. Edhe në pjesëlojën e dytë, si Arbëria ashtu edhe Besa, e kërkonin golin por në fund ishin vendasit që realizuan për t’u këndellur pas një serie të rezultateve negative.

“Ishim të pafat në këtë ndeshje, pasi krijuam raste por gabimet individuale nuk na lanë të gjejmë golin. Arbërisë i uroj fitoren, kurse neve na mbetet të punojmë shumë dhe të kërkojmë fitoren në ndeshjet tjera”, ka thënë trajneri i Besës, Jerome Klein.

Dueli i luajtur në Obiliq ishte i vetmi që u zhvillua të mërkurën, pasi tri ndeshje të tjera në kuadër të kësaj xhiroje janë zhvilluar të martën. Ndërkohë, dueli ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit është shtyrë për një datë tjetër, për shkak se të dyja ekipet kanë të angazhuar lojtarë te Përfaqësuesja A dhe U21 e Kosovës. Xhiroja e ardhshme e Superligës së Kosovës do të zhvillohet vikendin e ardhshëm, për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve që zhvillohen gjatë kësaj periudhe.

Superliga – XII

Arbëria – Besa 1:0

Drita – Prishtina 0:0

Llapi – Trepça ’89 5:0

Drenica – Feronikeli 1:0

Ballkani – Gjilani luhet më vonë

Image