Sport

Arbëria synon ta befasojë edhe Feronikelin

Mënyra e debutimit të Arbërisë së Dobrajës në Superligën e Kosovës në futboll mund të ketë befasuar njohësit e futbollit, por jo edhe trajnerin e kësaj skuadre, Arbnor Morina.

Morina thotë se ekipi i tij ka punuar shumë dhe është përgatitur mirë për edicionin 2020/21. Për këtë arsye trajneri prishtinas aspak nuk është i befasuar nga rezultatet në tri xhirot e para.

Arbëria për herë të parë po luan në elitën e futbollit kosovar dhe pas tri xhirove të zhvilluara është lidere në tabelë. Me dy fitore dhe një barazim, ka arkëtuar shtatë pikë, sa i ka edhe Ballkani në pozitën e dytë. Te Arbëria synojnë që të mbesin të pamposhtur, pse jo edhe në krye të klasifikimit, edhe pas ndeshjes kundër Feronikelit, që e luajnë në kuadër të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës.

Ndeshja Arbëria – Feronikeli luhet të martën (sot) nga ora 15:00, në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq. Arbëria luan si vendas në Obiliq, në mungesë të stadiumit të pranueshëm në Dobrajë apo Lipjan. Ndeshja në Obiliq e hap xhiron e katërt të kampionatit të Kosovës.

Për dallim prej Arbërisë që ka pasur ecuri të mirë në tri xhirot e para, Feronikeli ka pasur rënie të menjëhershme, që në klubin nga Drenasi besojnë se është e përkohshme. Ekip nga Drenasi e nisi edicionin ne fitore të thellë ndaj Gjilanit, por në dy ndeshjet e fundit ka arkëtuar vetëm një pikë. Humbi nga Ballkani e në fund barazoi me Drenicën.

“Synimi është që të vazhdojmë me paraqitje të mira edhe pas xhiros së tretë për shkak se kemi punuar shumë si ekip për të pasur një ecuri të mirë në ndeshjet që i kemi luajtur deri më tani. Natyrisht që duam të vazhdojmë të mbetemi të pamposhtur edhe pse përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë”, është shprehur Morina të hënën për KOHËN. “Feronikeli ka një ekip cilësor dhe luan një lojë të hapur që besoj se do të jetë një ndeshje shumë cilësore. Do të jetë vështirë por besoj se jemi të gatshëm edhe për këtë duel për të cilin jemi përgatitur”.

Ndërkohë te Feronikeli duan të kthehen te fitorja. Sulmuesi i Feronikelit, Bedri Greca, që shpërtheu në fitoren e parë dhe të vetme me “hat-trick”, atë ndaj Gjilanit (4:0), ka insistuar se ndaj Arbërisë do të futen në fushë vetëm për fitore. Ai ka pranuar se nuk do të jetë lehtë, por ka insistuar se është momenti i duhur për Feronikelin që të bëjë një kthim të fuqishëm.

“Te them të drejtën, në Superligë nuk ka ekip të dobët, sidomos në këtë sezon që mund të them se është ndër më të fortët për shkak të transferimeve të fuqishme që i kanë bërë të gjitha ekipet. Kështu që ndaj Arbërisë na pret një ndeshje e vështirë për shkak se ka treguar paraqitje të mira dhe këtë e kemi parasysh”, është shprehur Greca. “Ne jemi të qetë dhe të sigurt se do të dalim nga kjo gjendje që është momentale për shkak se kemi ekip të shkëlqyer dhe objektivi i vetëm në këtë ndeshje është fitorja. Respekt për Arbërinë, por ne jemi Feronikeli dhe në çdo ndeshje futemi për fitore”.

Derbi i kësaj xhiroje luhet të mërkurën në Podujevë, ku skuadra e Llapit, që ka startuar me dy humbje në po aq ndeshje të luajtura, e pret Ballkanin që nuk di për humbje. Në të njëjtën ditë luan edhe kampionia e Kosovës, Drita që nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë edicion për shkak të angazhimeve në Ligën e Evropës. Drita e pret në shtëpi Besën e Pejës, ekip që pas tri ndeshjeve nuk e ka marrë asnjë pikë.

Trepça ’89 e pret skuadrën e Prishtinës të mërkurën, kurse kjo xhiro do të mbyllen të enjten me duelin që do të zhvillohet në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Gjilanit.