Sport

Arbëria kërkon fitoren e parë në pranverë, Prishtina ta vazhdojë serinë e suksesshme

Ndeshja ndërmjet Arbërisë dhe Prishtinës do ta hapë javën e 20-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ky duel do të zhvillohet të premten, prej orës 13:00, në fushën me bari sintetik në Ferizaj, aty ku do t’i luajë ndeshjet si vendas ekipi nga Dobraja në stinorin pranveror.

Arbëria është në kërkim të fitores së parë në pranverë. Në ndeshjen e parë luajti baras kundër Trepçës ’89 në Mitrovicë 1:1, ndërkaq u eliminua edhe nga kupa pas humbjes nga Feronikeli (1:0). Arbëria dhe Prishtina janë takuar dy herë në stinorin vjeshtor. Në “Fadil Vokrri” kishte fituar Prishtina (1:0), kurse dueli në Obiliq kishte përfunduar pa fitues (1:1). Njëri prej lojtarëve kryesorë tek Arbëria, Almir Kryeziu, ka thënë për KOHËN se atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe insistoi se ndaj Prishtinës do të futen për rezultat pozitiv.

“Atmosfera në klub është tepër e mirë. Jemi të motivuar shumë për këtë ndeshje. Prishtina ka ekip shumë cilësor, por mendoj që kemi forcë të nxjerrim rezultat pozitiv. Ne në çdo ndeshje hyjmë për fitore, kështu që edhe ndaj Prishtinës do të tentojmë të marrim pikët e plota”, tha Kryeziu.

Arbëria në këtë ndeshje do të jetë pa kapitenin Labinot Ibrahimi që është i lënduar, derisa Prishtina nuk pritet të ketë ndonjë mungesë. Arbëria zë vendin e gjashtë në renditje me 22 pikë të mbledhura, 13 më pak se Prishtina që është e treta në tabelë. E te Prishtina janë të vendosur për ta fituar këtë ndeshje, në mënyrë që ta vazhdojnë serinë pozitive ku në 12 ndeshjet e fundit nuk dinë për humbje. Prishtina nuk di për humbje që nga 1 nëntori i vitit të shkuar kur pësoi nga Drenica në udhëtim (1:0). Prishtina e nisi stinorin pranveror në mënyrën më të mirë të mundshme. E fitoi Superkupën, u kualifikua në gjysmëfinale të Kupës dhe vikendin e shkuar triumfoi ndaj Drenicës (3:1) në ndeshjen e parë kampionale të këtij viti.

“Forma e skuadrës është shumë e mirë. Normalisht, kur është i gjithë ekipi në formë, patjetër që edhe individët janë në formë. Udhëtojmë dhe shpresojmë që ta vazhdojmë serinë pozitive që e kemi, pa e nënvlerësuar ekipin kundërshtar për asnjë moment pasi kemi hasur në probleme në duelet e mëparshme që i kemi pasur”, ka thënë Lorik Boshnjaku, kapiten i Prishtinës. “Normalisht, që do të jetë e vështirë për ne pasi edhe Arbëria ka objektivat e veta dhe tash për tash nuk ka ndeshje të lehtë, por ne kemi synimet tona”.

Kjo xhiro do të vazhdojë me ndeshjet e tjera, të cilat do të luhen të shtunën dhe të dielën.

Superliga – XX

E premte

Arbëria – Prishtina (13:00)

(Arbitra: Sh. Murtezi, S. Berisha, H. Osmani, D. Çaka)

E shtunë

Drita – Trepça ’89 (13:00)

(Arbitra: B. Kasumi, L. Muhadri, A. Ejupi, A. Halilaj)

Drenica – Besa (13:00)

(Arbitra: V. Kastrati, M. Berisha, B. Hyseni, B. Ajeti)

E diel

Llapi – Gjilani (13:00)

(Arbitra: A. Shala, B. Selimaj, G. Hyseni, V. Ibërdemaj)

Ballkani – Feronikeli (13:00)

(Arbitra: G. Shala, F. Berisha, F. Jashari, G. Nuza)

1. Drita 19 13 5 1 31:13 44

2. Ballkani 19 13 2 4 46:25 41

3. Prishtina 19 10 5 4 29:13 35

4. Gjilani 19 8 6 5 19:17 30

5. Feronikeli 19 5 9 5 23:17 24

6. Arbëria 19 6 4 9 18:21 22

7. Trepça ’89 19 6 4 9 20:28 22

8. Llapi 19 6 2 11 21:24 20

9. Drenica 19 5 4 10 12:28 19

10. Besa 19 1 3 15 13:46 6