Sport

Arbër Hoxha te Shqipëria, Daku e Muja nuk ftohen

Sulmuesi i Dinamo Zagrebit, Arbër Hoxha ka zgjedhur Shqipërinë. 25-vjeçari të enjten mbrëma shënoi gol për Dinamo Zagrebin në Ligën e Konferencës, ndërsa të premten u përfshi në listën e Shqipërisë për ndeshjet miqësore të këtij muaji.

Hoxha më parë ka luajtur për Kosovën. Por nuk kishte një rast të vërtetë deri më tani dhe ka vendosur për Shqipërinë, që në verë paraqitet në Evropë.

“Kuqezinjtë” më 22 mars në Parma të Italisë luajnë miqësore me Kilin. Ndërkohë më 25 mars në Stokholm përballen me Suedinë.

Selektori Sylvinho ka ftuar plot 26 futbollistë për këto dy miqësore. Shumica prej tyre pritet të jenë edhe në Evropianin në Gjermani.

Bie në sy mbetja jashtë listës e Mirlind Dakut e Arbnor Mujës. Sulmuesi Daku iu bashkua Shqipërisë pasi nuk po llogaritej shumë te Kosova. Ai luan në Rusi. Ndërkohë Muja ishte te Kosova, por pasi nuk ishte startues vendosi për Shqipërinë. Ai ka lëvizur nga kampioni i Belgjikës për te një skuadër e pjesës së poshtme të tabelës në elitën turke. Dhe kjo lëvize po del që i ka rrezikuar seriozisht vendin te Shqipëria.

Kuqezinjtë grumbullohen të hënën në Tiranë.

Etrit Berisha, Thomas Strakosha e Elhan Kastrati janë portierët e ftuar. Në mbrojtje është kthyer Marash Kumbulla, ndërsa jashtë ka mbetur Ardian Ismajli, që u lëndua në ndeshjen e fundit. Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Jon Mersinaj, Mario Mitaj dhe Naser Aliji janë mbrojtësit tjerë në të cilët llogarit Sylvinho.

Ndryshime nuk ka në mesfushë. Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Keidi Bare dhe Nedim Bajrami janë futbollistët e ftuar.

Ndërkohë në sulm pos Hoxhës që është emër i ri, ka edhe lojtarë të rikthyer. Rey Manaj, që po kalon superformë në Turqi, është i ftuar. Është kthyer edhe Armando Broja, ndërsa sulmuesit e tjerë janë Taulant Seferi, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Jasir Asani, Arbnor Muçolli e Sokol Cikalleshi.

Sylvinho të shtunën paradite paraqitet në konferencë ku do të flas për zgjedhjet e bëra.

“Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre. Ndërsa grupi i lojtarëve do të jetë i plotë të hënën, 18 mars. Seancat stërvitore do të zhvillohen në ‘Shtëpinë e Futbollit’, ndërsa të enjten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Parmës, ku më 22 mars do të luhet edhe ndeshja e parë miqësore ndaj Kilit në stadiumin ‘Ennio Tardini’, duke nisur nga ora 20:45”, ka njoftuar FSHF-ja.

Shqipëria në fillim të qershorit i luan edhe dy miqësore, ndërsa më pas i ka ndeshjet e Evropianit. Më 15 qershor luan ndaj Italisë, më 19 qershor ndaj Kroacisë dhe më 24 qershor ndaj Spanjës. Shpresohet se kjo të mos jetë ndeshja e fundit në ngjarjen kontinentale.

Image