Sport

Arb Manaj vlerëson se ka bërë hapin e duhur me kalimin te Belupo

Arb Manaj e ka bërë një hap tjetër në karrierën e tij. Sulmuesi nga Klina, është prezantuar të martën te skuadra Slaven Belupo. Me klubin, që bën gara në elitën e futbollit kroat, ai ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Detajet tjera të transferimit nuk janë bërë të ditura në njoftimin e klubit. Te Slaven Belupo, Manaj ka kaluar nga klubi turk, Ankara Keciorengucu. Në një intervistë për KOHËN pas prezantimit te Slaven Belupo, futbollisti, që është rritur te Dukagjini i Klinës, ka thënë se kalimin te klubi i Kroacisë, e ka bërë për ta provuar vetën në një kampionat më të fortë.

“E zgjodha Slaven Belupon sepse doja të ndërroja ambient dhe ta provojë veten në një ligë më të fortë dhe në një ligë ku mund të bëjë shumë progres. Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen, që kam bërë dhe më mbetet vetëm të punojë shumë në mënyrë që ta kem një sezon pozitiv”, deklaroi Manaj.

Ai e pranon se ka pasur edhe oferta të tjera dhe insiston se nuk ka gabuar aspak në zgjedhjen që ka bërë. Thotë se Slaven Belupo është emër i njohur jo vetëm në futbollin kroat.

“Kam pasur oferta edhe nga disa klube të tjera, por zgjodha Belupon dhe mendoj që nuk kam gabuar. Është një klub me emër në Kroaci dhe më gjerë”, shtoi Manaj.

24-vjeçari zbulon se futbollisti tjetër kosovar, që veshë fanellën e skuadrës kroate, Arbër Hoxha, i ka ndihmuar shumë që të përshtatet në ekip. Hoxha kaloi te Belupo nga Lokomotiva e Zagrebit këtë verë.

“Te Slovan Belupo e kam shokun tim të ngushtë Arbër Hoxhën më të cilin jam rritur te grupmoshat dhe më ka ndihmuar shumë që të ambientohem në skuadër”, tha ai.

Manaj synon që të shënojë sa më shumë gola dhe ta ndihmojë skuadrën që të renditet sa më lart në tabelë këtë sezon.

“Synime e mia te Belupo janë që të shënoj sa më shumë gola dhe ta ndihmoj skuadrën që t’i arrij objektivat, që ka në këtë sezon. Për mua do të jetë hera e parë që do të luajë në Superligën e Kroacisë dhe mezi po pres që të paraqitem”, theksoi ai.

Futbollisti, që ka veshur fanellën e Kosovës U21 dhe të ekipit A në miqësore, e vlerëson lart ligën e Kroacisë. Mendon se do të jetë një rast i mirë për të që ta bëjë hapin e madh në karrierë.

“Mendoj që liga e Kroacisë shikohet shumë dhe është një trampolinë shumë e mirë për hapin e radhës. Është ligë, që ka lojtarë cilësorë dhe po ashtu kampionati është shumë interesant, ka rivalitet të madh”, theksoi Manaj.

Në dy ndeshjet e para të kampionatit kroat, Slaven Belupo ka shënuar një fitore dhe ka pësuar një humbje të thellë në shtëpi nga Dinamo Zagrebi 5:1. Periudhën dyvjeçare në Turqi, Manaj e vlerëson si shumë pozitive në karrierën e tij.

“Koha ime në Turqi ka qenë mjaft e mirë dhe nuk mund ta harroj kurrë. Unë nga Trepça ’89 bëra hapin e parë drejt futbollit turk, ku qëndrova dy vjet dhe mendoj se ishte koha e duhur që ta bëj një hap tjetër në karrierën time”, tha Manaj.

Arb Manaj zhvilloi 48 ndeshje në Ligën e Parë të futbollit turk. Ai shënoi 18 gola për tri skuadra: Keciorengucu, Balikesirspor dhe Bandirmaspor. Si lojtar është rritur te Dukagjini i Klinës. Më pas iu bashkua Trepçës ’89 prej nga u transferua në Turqi te Kociorengucu. 89-shi mori rreth 100 mijë euro dhe posedon edhe përqindje në kartonin e lojtarit. Manaj ka tri paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës dhe një gol të shënuar në miqësoren kundër Guineas. Ai ka veshur edhe fanellën e U21 të Kosovës.

Para se ta veshte fanellën e “Dardanëve”, Manaj ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Shqipërisë. Në vitin 2013, ai ishte shpallur lojtari dhe golashënuesi më i mirë në Kampin Nacional Edukativ, i organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Me fanellën e Belupos, Manaj ka gjasa të debutojë këtë të diel, në ndeshjen, që ekipi i tij i ri e luan në udhëtim te skuadra e Osijekut. Aktualisht, Belupo zë vendin e shtatë në kampionatin kroat pas dy xhirove të zhvilluara deri më tani.