Sport

Andersen, e lumtur me zhvillimin e Kosovës, pret duele të vështira me Armeninë e Poloninë

Përzgjedhësja Karin Anneli Andersen e ka parasysh se situata e Përfaqësueses së Kosovës nuk është aq e mirë në Grupin F kualifikues të Botërorit të vitit të ardhshëm. Sigurisht, Andersen pranon se ka pritur rezultate më të mira me “Dardanet”. Por, përzgjedhësja suedeze e Kosovës në përfaqësuesen e femrave, i gëzohet një fakti tjetër - zhvillimit të grupit pas ndryshimeve që i ka bërë.

Ajo thotë se për të arritur deri te rezultatet kulminante duhet ende kohë dhe shton se rezultatet nuk mund të mungojnë nëse punohet mirë dhe me seriozitet të madh. E një rezultat pozitiv, vashat e Kosovës kërkojnë të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kosova ka vazhduar me përgatitje edhe të mërkurën në Kampin Nacional në Hajvali për duelin ndaj Armenisë që e zhvillon të enjten nga ora 19:00. Është ndeshja e parafundit e ciklit eliminator të Botërorit të vitit të ardhshëm. Kosova në Grupin F kualifikues të Botërorit, aktualisht është në pozitën e parafundit. Ka tubuar katër pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura deri më tani. Ndërsa, Armenia zë vendin e fundit në grup, pa pikë.

“Jam shumë e lumtur me zhvillimin e ekipit. Siç e dini, ndryshimet duan kohë. Është shumë e veçantë puna me përfaqësuese sepse vijnë lojtare nga vende të ndryshme dhe ke vetëm dy-tri stërvitje para se të paraqitesh në ndeshje. Kështu që, unë dhe Katarina e kemi atë eksperiencë, por vajzave u duhet kohë për t’u adaptuar. Por, unë mendoj se kemi bërë punë të mirë. Ne bëjmë hapa çdo ditë, në çdo kamp dhe në çdo ndeshje. Por kjo kërkon kohë. Është përgjigje e mërzitshme, por kërkon kohë”, ka thënë të mërkurën Andersen për KOHËN.

Përzgjedhësja suedeze që drejtimin e ekipit e mori më 24 mars të këtij viti, tha se dy ndeshjet e ardhshme, do të jenë shumë të rëndësishme, por krejtësisht të ndryshme për Kosovën. Fillimisht, thotë se fokusi është te dueli me Armeninë, përpara se të mendojë për ndeshjen e fundit, atë ndaj Polonisë në udhëtim që luhet më 6 shtator.

“Mendoj se i kemi dy sfida të ndryshme para vetes, ndaj dy skuadrave të ndryshme, me stil të ndryshëm, me taktika të ndryshme dhe me intensitet tjetër. Ne duhet të punojmë fort për t’iu përshtatur të dy ndeshjeve. Për momentin po përgatitemi për ndeshjen e parë, me të gjitha aspektet e nevojshme. Kur ajo ndeshje të përfundojë, ne menjëherë do të kthejmë sytë kah sfida tjetër. Do të jetë ndeshje e mirë për ekipin tonë”, u shpreh Andersen.

Lojë të mirë në të dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm, pret edhe futbollistja Erëleta Memeti, e cila është pjesë e ekipit të Bundesligës gjermane me Freiburgun. Edhe Memeti thotë se tani për tani, janë të fokusuara te përballja me Armeninë.

“Ushtrimet po shkojnë mirë. Lojën e parë e kemi me Armeninë. Besoj se do të jetë lojë e mirë sepse grupi i lojtareve është duke u zhvilluar edhe më shumë me këto grumbullime dhe po besoj se do të jetë një lojë e mirë. Po përgatitemi fillimisht për ndeshjen e parë”, ka thënë mesfushorja me tipare sulmuese, Memeti.

Se Kosovën e presin dy ndeshje të vështira, e pranon edhe mesfushorja e Hajvalisë, Lumbardha Misini. Përballjen e parë ndaj Armenisë, Kosova e pati fituar në udhëtim me rezultatin minimal 1:0. Ndërsa, u pat mposhtur në shtëpi nga Polonia (2:1). Të dy ndeshjet u luajtën vitin e shkuar.

“Jemi një grup shumë i mirë. I kemi caktuar vetes një detyrë që të shkojë sa më mirë. Kemi vendosur një synim që të arrijmë dy fitore, edhe ndaj Armenisë edhe ndaj Polonisë. E dimë që ndeshja e dytë është pak më e vështirë por së pari po mendojmë për Armeninë, ta kalojmë ndeshjen e parë e pastaj kemi kohë të mendojmë për ndeshjen e dytë. Po punojmë fort. Duam të punojmë sa më mirë që është e mundur, e të dalim sa më mirë nga këto dy ndeshje. Të përulur ta fitojmë ndeshjen me Armeninë, dhe të dalim sa më mirë me lojën me Poloninë”, ka deklaruar Misini.

Grupin F kualifikues të Kampionatit Botëror e kryeson Norvegjia me 22 pikë të grumbulluara, e ndjekur nga Përfaqësuesja e Belgjikës që ka 19 pikë. Polonia është e treta në grup me 14 pikë, ndërsa Shqipëria ka 10 pikë. Ndeshjen e fundit kualifikuese, Kosova e zhvillon më 6 shtator në udhëtim te Polonia.