Sport

Alvin Karaqi, kampion i Lojërave Evropiane

Tani edhe Shqipëria ka medalje në Lojërat Evropiane. Madje ka kampion të Lojërave Evropiane. 

Këtë e ka mundësuar karateisti kosovar, Alvin Karaqi. Karaqi ka disa vjet që garon për Shqipërinë, ndërsa të premten shkëlqeu në kategorinë deri 84 kilogramë. Në finale të ngjarjes shumësportëshe kontinentale, Alvin Karaqi e mposhti holandezin Brian Timmermans. Ndaj tij fitoi me rezultatin 3:2.

Në karate janë paraqitur vetëm nga tetë garues për kategori. Fillimisht ishin dy grupe me nga katër garues, ndërsa dy më të mirët në grup kaluan në gjysmëfinale. 
Karateisti prishtinas fillimisht e mposhti kroatin Enes Gariboviq me rezultatin 2:0. Më pas humbi 5:3 nga polaku Michal Babos. Në luftën e tretë dhe vendimtare fitoi 1:0 ndaj grekut Konstantinos Mastrogiannis. Me gjashtë pikë, përkatësisht me dy fitore e një humbje, në gjysmëfinale u kualifikuan polaku Babos dhe Karaqi. Dy të tjerët kishin nga një fitore dhe dy humbje dhe u eliminuan.

Në gjysmëfinale, Karaqi e kishte përballë italianin Michele Martina. Ndaj tij fitoi 3:2 për të bërë vend në finale. Ndaj tij realizoi tri “yuko” rresht për epërsin 3:0. Fare në fund pësoi goditje për uazari dhe rezultati u ngushtua në 3:2.

Më pas në finale, Karaqi ishte më i mirë se holandezi Timmermans. Ndaj tij realizoi tri herë aksione për pikë për të festuar në fund.

Karaqi ishte për disa vjet te Kosova, por nuk u trajtua mirë dhe u kthye te Shqipëria. Aktualisht jeton në Zvicër, ku punon si mjek. Por nuk është larguar nga karateja dhe të premten arriti suksesin më të madh në karrierë. Ai ishte pranë medaljes edhe në dy edicionet e kaluara, por atë e fitoi më në fund të premten në Poloni.

Në “Baku 2015” dhe “Minsk 2019”, Shqipëria nuk kishte fituar asnjë medalje. Tani e ka medaljen nga Lojërat Evropiane.

Karaqi për trajner e kishte Fehmi Mahallën. Ai është prej karateistëve më të mirë shqiptarë në histori. Dhe tani ka rezultat të madh edhe si trajner.