Sport

Alves do të dalë në gjyq për përdhunim në shkurt

Ish-ylli i futbollit brazilian, Dani Alves do të dalë në gjyq në Spanjë për përdhunimin e dyshuar të një gruaje në një klub nate të Barcelonës në dhjetor të vitit 2022 midis datave 5 dhe 7 shkurt të vitit të ardhshëm, tha një gjykatë spanjolle të mërkurën. Prokurorët po kërkojnë një dënim me nëntë vjet burg për ish-mbrojtësin e Barcelonës, i cili ka qenë në burg në Spanjë që nga arrestimi i tij në janar të këtij viti, dhe i kërkuan brazilianit t'i paguajë viktimës së tij të supozuar 150 mijë euro si kompensim. 40-vjeçari ka pohuar se ka bërë seks pasi kishte mirëkuptim me akuzuesen e tij.

“Kam një ndërgjegje vërtet të pastër për atë që ndodhi atë natë në banjën e zonës VIP të klubit të natës Sutton”, i tha Alves gazetës “La Vanguardia” me bazë në Barcelonë në një intervistë të botuar në qershor, e para që nga arrestimi i tij. “Çfarë ndodhi dhe çfarë nuk ndodhi. Dhe ajo që nuk ndodhi është se unë e detyrova këtë grua të bënte gjithçka që bëmë ne”.

Por kur historia shpërtheu nëpër media për herë të parë - dhe para se të arrestohej - Alves në një intervistë televizive fillimisht mohoi të njihte gruan që bëri një ankesë në polici kundër tij më datën 2 janar të këtij viti.

“Unë po kërceja dhe po kaloja mirë pa pushtuar hapësirën e askujt”, tha ai për kanalin televiziv spanjoll “Antena 3”. “Nuk e di kush është kjo zonjë. Si mund t'ia bëja këtë një gruaje? Jo”.

Alves, më vonë pranoi se ai kishte gënjyer në fillim sepse kishte frikë se gruaja e tij do ta linte nëse ai pranonte se kishte qenë me një grua tjetër. Gjyqi i profilit të lartë do të zhvillohet në Barcelonë, tha në një deklaratë gjykata e cila ka udhëhequr hetimin për këtë çështje. Prokurorët pretendojnë se Alves e ftoi gruan të hynte në një dhomë të vogël në klubin luksoz të natës “Sutton”, për të cilën ajo thotë se nuk e dinte se ishte një tualet. Pasi ka hyrë brenda, futbollisti ka shfaqur një “qëndrim të dhunshëm” ndaj gruas, të cilën e ka detyruar të kryejë marrëdhënie pavarësisht rezistencës së saj, thonë prokurorët sipas aktakuzës. Sipas ligjit spanjoll për pëlqimin seksual të miratuar vitin e kaluar, akuza për sulm seksual përfshin një gamë të gjerë krimesh nga abuzimi në internet dhe përdhunimi, secila me dënime të ndryshme të mundshme. Një rast përdhunimi mund të dënohet maksimalisht deri në 15 vjet.

Në momentin e incidentit, Alves ishte me pushime në Barcelonë pasi luajti për Përfaqësuesen e Brazilit në Kupën e Botës “Katari 2022”. Pas arrestimit të tij, Alves mbeti pa klubi pasi iu shkëput kontrata nga skuadra meksikane, Pumas UNAM. Në një karrierë shumë të suksesshme, Alves fitoi 42 trofe, duke përfshirë tri herë Ligën e Kampionëve me skuadrën e Barcelonës dhe dy herë Copa American me Përfaqësuesen e Brazilit. Në Botërorin e mbajtur vitin e shkuar në Katar, Alves u bë lojtari më i vjetër që përfaqësoi Brazilin në turneun e futbollit. Alves karrierën si profesionist e nisi në vitin 2001 te Bahia në Brazil, për t’u zhvendosur në Evropë pas dy vjetësh. Ai ishte pjesë e skuadrave Sevilla, Barcelona, Juventus e Paris Saint-Germain. Luajti për dy edicione edhe për Sao Paulon, përpara se t'i bashkohet vitin e shkuar ekipit nga Meksika, UNAM Pumas për të cilin regjistroi 13 paraqitje. Alves prej vitit 2006 deri në vitin e shkuar, ka luajtur 126 ndeshje me Brazilin dhe ka shënuar tetë gola.