Futbollisti Festim Alidema u rikthye te Llapi pas dy vjetësh dhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai shënoi dy gola në fitoren kundër Prishtinës me rezultatin 3:1 dhe pati merita të mëdha që ekipi nga Podujeva e fitoi Superkupën për herë të parë në histori të klubit. Të dy golat, Alidema i shënoi nga penalltia. 23-vjeçari Alidema deklaroi për KOHËN se ka pritur që të ketë fillim të mbarë te Llapi. Ai mendon se llapjanët me plot meritë e kanë mposhtur Prishtinën dhe e kanë fituar trofeun e Superkupës. Në muajin maj, Llapi e fitoi edhe Kupën e Kosovës, por që Alidema nuk ishte pjesë e skuadrës.
“E kam pritur që do ta gjej veten shumë mirë te Llapi, sepse këtu kam qenë edhe më herët dhe e njoh shumë mirë klubin. Shpresoj që ta marr veten si është më së miri dhe t’i arrijmë objektivat që kemi me Llapin. Realizova dy gola dhe po ndihna shumë mirë. Shpresoj që të vazhdojmë me paraqitje të mira edhe në ndeshjet e radhës. Në bazë të lojës që është zhvilluar, mendoj që e kemi merituar ta fitojmë Superkupën, pasi kemi luajtur më mirë sesa Prishtina”, u shpreh Alidema.
Ai ishte pjesë e Llapit edhe në edicionin 2018/2019. Pas formës së mirë që tregoi, sulmuesi nga Pozherani i Vitisë u transferua te Slaven Belupo në Superligën e Kroacisë në verën e vitit 2019. Ai kishte nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin kroat, e cila i ka skaduar në verën e këtij viti.
Alidema u huazua në edicionin e kaluar te Drita nga Gjilani. Ai pati telashe edhe me lëndime, kurse në këtë verë pasi i skadoi kontrata me Slaven Belupon, iu bashkua Llapit si lojtar i lirë. Alidema tregon se pse zgjodhi të rikthehet te Llapi. Pohon se ka pasur edhe oferta të tjera dhe konfirmon se synon titullin e kampionit me ekipin nga Podujeva.
“Unë vendosa të kthehem te Llapi për ta vazhduar rrugëtimin drejt titullit të kampionit, të cilin e kam lënë në gjysmë. Kam pasur edhe oferta të tjera nga klubet e ndryshme, por vendosa të kthehem te Llapi. Kam nënshkruar kontratë me Llapin dhe jam lojtar i këtij klubi ku kam kaluar shumë mirë edhe herën e parë kur isha. Synimi im me Llapin është të shpallemi kampion të Kosovës dhe të luajmë në garat evropiane”, deklaroi Alidema.
Synimi i Fesim Alidemës është i qartë, që të shpallet kampion me Llapin dhe të luajë në garat evropiane. Po ashtu, është i vendosur që ëndrrën ta realizojë duke luajtur sërish në ndonjë klub në Evropë.
“Normalisht, tani janë hapur rrugët për të luajtur në Evropë. Tani është shumë më e lehtë. Shpresoj që të jetë një sezon i mirë për klubin dhe për mua, dhe ta vazhdoj karrierën në Evropë. Mendoj që në Kroaci kur isha te Slaven Belupo, fati nuk ishte në anën time. Por, mendoj që asnjëherë nuk është vonë që t’i arrij ëndrrat e mia. Për këtë po punoj dhe do të vazhdoj të punoj shumë. Ndërkaq, te Drita fillimi ka qenë vështirë, kurse më pas ia dola ta marr veten dhe u ktheva në formë”, përfundoi Alidema.
Festim Alidema është rritur si lojtar te Vllaznia e Pozheranit, për të cilin klub ka luajtur edhe në Superligë. Më pas iu bashkua Llapit, ku e gjeti shkëlqimin që ia siguroi kalimin në Kroaci te Slaven Belupo. Me skuadrën kroate që tashmë i ka skaduar kontrata, u paraqit në vetëm pesë ndeshje, kryesisht si zëvendësues. Ishte edhe i huazuar te Dragovoljaci në Ligën e Parë të Kroacisë, përpara se t’i bashkohej Dritës. Gjatë kësaj vere kaloi te Llapi dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2023.